Artisti, i cili transformoi botën e muzikës pop, tregon eksperiencën e tij të të jetuarit në zemër të natyrës, larg metropolit, një periudhë frymëzuese si krijues, por edhe përkushtuese ndaj vajzës…
Timbri i mprehtë i zërit të tij i dha trup e formë “One Direction”, që të bëhej një nga grupet më të shitura të djemve në botë të të gjitha kohërave. U bë kohë që kur Zayn Malik, hoqi mbiemrin e tij dhe gjithë pushteti u fokusua te “Zayn”, si një çlirim nga zinxhirët e grupit të djemve. Zayn, është një rrokje e vetme që ngjall një lloj seksualiteti, që mjegullon në kufirin midis meditimit dhe boshllëkut. Por tani, duket se shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën e tij dhe në pritje të albumit të ardhshëm, që publikohet në muajin maj, ai vendos të rrëfejë dhe për jetën e tij të izoluar nga bota e qytetëruar. Një nga yjet më të njohur të popit dhe imazh i modës, Zayn Malik flet për albumin e tij të ri “Room Under The Stairs”, ku artisti zbulon aktin e tij më befasues deri tani: veten e tij. I izoluar në fermën e tij në Pensilvani, albumi tregton magjinë e tij, përmes një tingulli akustik të zhveshur, tekste rrëfyese për rrëmujën e dashurisë dhe prindërimit, por edhe shumë pyetje ekzistenciale që vijnë me hyrjen në dekadën e katërt të jetës së tij. Këngëtari i turpshëm flet për emocionet dhe qetësinë shpirtërore, që së fundmi ka bërë të ndihet në paqe me veten.
Ju i shkruat këngët e albumit të fundit i izoluar, si ishte ky procesi krijues duke punuar nga shtëpia?
Kur gjej kohë për veten time, pjesën më të madhe të kohës e kaloj në studio – e cila është si një kabinë ku kur hyj ndihem në një univers tjetër. Gjithçka ka nisur vite përpara, duke mbivendosur punë e projekte, derisa ato të dilnin më së miri. Fillimisht vendosja të dëgjoja albumin tim të mëparshëm dhe të kuptoja pse njerëzit e dëgjojnë, ose pse jo. Pastaj duke parë defektet, nisja e mendoja nga e para si të përmirësohesha. Kjo periudhë më ka ndihmuar, të kaloj kohë edhe me vajzën time gjithashtu.
Pra, këtë hapësirë krijuese ju e ndani vajzën tuaj?
Në fakt, mua dhe vajzës sime na pëlqen kopshtaria, ndaj kalojmë shumë kohë bashkë. Mbjellim perime dhe ushqehemi me to. Është me të vërtetë kënaqësi të prodhosh nga kopshti perimet e sallatës, e t’i tregosh vajzës që ato vijnë direkt nga toka. Tani ajo e di se çfarë mund të hajë dhe çfarë jo, dhe i pëlqen perimet. E kam mësuar edhe se si të përtypë një copë brokoli, që është makthi më i keq i një prindi.
Pse u larguat nga Nju-Jorku?
Sepse isha i lodhur nga metropolet dhe nga ana tjetër, vërtet u dashurova me peizazhet dhe qetësinë. Aty ka kohë për të menduar vërtet, për gjëra të bukura. Kur kuptova se partnerja ime në atë kohë ishte shtatzënë, vendosa që ky do të ishte një vend i mrekullueshëm, për të rritur një fëmijë. Ndihemi të lirë që jetojmë më shumë jashtë shtëpisë: aty bëjmë kopshtari, ngremë një kamp, gatuajmë jashtë, po ashtu peshkojmë. Shpresoj që të krijojmë, disa kujtime të mrekullueshme këtu.
Albumi juaj i ri “Room Under The Stairs” i referohet pikërisht shtëpisë suaj?
Po, sepse ishte kaq e thjeshtë, në vend që të mendoja për diçka më shumë tërheqëse, por aspak autentike. Titulli vjen nga një film horror, që kam parë kur isha adoleshent; Gjithmonë kam menduar se ideja e të qenit nën shkallë, kishte një ndjenjë të fuqishme, ndaj përfundova rastësisht, duke regjistruar shumicën e këngëve të albumit, në një dollap këpucësh poshtë shkallëve. Kështu që thashë: ky titull është perfekt.
Tekstet e këngëve do të kenë sërish, vendin më të rëndësishëm në këngët tuaja?
Mendoj se kjo është bukuria e muzikës. Dëgjojmë një tingull njësoj të gjithë, por teksti na lidh me një fije të përbashkët, por te secili merr tjetër kuptim. Çfarëdo që të them unë për personin që e kam shkruar, kushdo që e dëgjon, mund të nënkuptojë diçka më personale. Ndjej se shumë njerëz mund të lidhen me tekstin shumë fort, qoftë duke u ndjerë i dashuruar me dikë apo një tjetër gjendje, që ata e përcaktojnë, ndaj për mua teksti ka kaq shumë rëndësi. Kam kuptuar se për shumë arsye, disa nga këngët e mia në të kaluarën, thjesht ndiheshin paksa të zbehta, sepse ishin shumë perfekte, qoftë në tekst apo në muzikë, por tani kam kuptuar se gjërat më të bukura vijnë nga ato, që nuk janë gjithmonë të përsosura.
Disa nga këngët prekin të qenit prind, a ju vjen në studio?
Jo nuk vjen në studio, por ka filluar të kuptojë që babi këndon dhe babi bën muzikë. Ajo i pyet të gjithë, sa herë që ka një këngë në radio, “Po këndon babi im?”. Por para meje, ajo ndihet disi e turpëruar. Khai ka shumë aftësi të lindura muzikore – e di që tingëllon qesharake sepse ajo është tre vjeçe – por besoj se ajo është e formatuar në një kuptim muzikor. Ajo mban mend çdo tekst, të çdo kënge që i pëlqen. Njeh notat muzikore dhe mezi po pres të rritet dhe të shoh se çfarë do të jetë e aftë të bëjë.
Prejardhja juaj kulturore, sa ka ndikuar te stili juaj?
Mendoj se nuk ka ndikuar dhe aq sa duhet: babai im është pakistanez dhe nëna britanike. Unë jam rritur në një mjedis, ku jo domosdoshmërisht veshja apo stili i atyre që më rrethonin, ndikuan te zgjedhjet e mia. Por ka diçka të vërtetë: kur kam qenë adoleshent, e kam përdorur modën për të qenë njësoj si moshatarët e mi, sidomos përdorimi i xhaketave të lëkurës dhe ngjyrat e ndezura neon, por edhe varëset dhe unazat e mëdha.
A kanë mbaruar eksperimentet me modelet e flokëve?
Besoj se më është dashur pak kohë, që të jem i qetë dhe të mendoj. Gjithmonë duhet të vijë momenti i duhur për t’u frymëzuar, për një stil të ri.
Jeta larg qytetit, sa ju ka ndihmuar për të trajtuar ankthin?
Ankthi është fjala e fundit, që mund të kem menduar gjatë qëndrimit në mes të natyrës. Unë e kam pranuar se kam kaluar periudha të errëta të jetës sime, më së shumti vitet e fundit, por kam kuptuar se të qenit në mes të natyrës, kafshëve, duke parë sesi lëviz e gjallon universi, kjo anë e errët zhduket totalisht, kjo më bën të jem i lumtur.
Kur do të ktheheni në qytet?
Nuk kam asnjë plan. Në momentin që do të promovoj albumin e ri, do të më duhet të lëviz, por besoj se do të kthehem sërish këtu në oazin tim, ku ndihem i frymëzuar për muzikë dhe i përkushtuar për mirërritjen e vajzës sime.
bal