Lajme

Kthjellime dhe temperatura të larta, parashikimi i motit për sot

Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e motit të qëndrueshëm duke bërë që kthjellimet dhe temperaturat relativisht të larta, të jenë dominante gjatë orëve të paradites por pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të herëpashershme përgjatë gjithë territorin por më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat malore verilindore dhe juglindore.

Po ashtu do të rritet ndjeshëm lagështira në ajër. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 5°C vlera minimale deri në 26°C vlera maksimale në rang territori.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 1 – 2 ballë.

Kosova

Do të mbeten prezente masat ajrore të qëndrueshme duke sjellë mot të kthjellët në pjesën më të madhe të Kosovës gjatë orëve të para të ditës. Pjesa e dytë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë territorin, ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat malore përgjatë shtrirjes Veri – Veriperëndim. Parashikohet që situata e motit të mbetet stabël deri mëngjesin pasardhës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 4°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Mitrovicës deri në 21°C vlera maksimale e cila do të shënohen në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë e lehtë paradite por mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale deri në mbi 40 km/h nga drejtimi permanent Verior.

Maqedonia e Veriut

Moti i kthjellët dhe i ngrohtë do të mbizotërojë në të gjithë republikën e MV, ku më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë zonave në Jug dhe Jugperëndim të territorit ndërsa me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta do të jetë moti në pjesën tjetër të MV; edhe pse vranësirat do të jenë të dukshme në veri dhe verilindje të MV nuk priten reshje. E njëjta situatë e qëndrueshme meteorologjike do të vijojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 5°C vlera minimale deri në 25°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e lehtë gjatë paradites por deri mesatare në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtesinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi Verior dhe veriperëndimor.

Europa

Britania e madhe është përfshirë prej disa ditësh nga një sistem i fuqishëm vranësirash duke sjellë, erë të fortë si edhe shira në formë shtrëngatash. Po ashtu, Alpet e Europës si edhe zonat përreth tyre do të paraqiten me vranësira konvektive duke gjeneruar rrebeshe shiu ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit të Europës do të dominohet nga mot i kthjellët dhe temperatura të larta, ku vlera më të larta priten në gadishullin e Iberik si edhe gadishullin e Ballkanit./abcnews.al