Lajme

Poeti, Shemsi Makolli me rastin e 25-vjetorit ditës ndërkombëtare të të pagjeturëve i ftuar në emisionin “FORUM” të autores së njohur zvicerane Anne Fournier

Shemsi Makolli i njohur me vargjet e tij unike në frëngjisht dhe shqip, lindi më 18 prill të vitit 1966 në Marec të komunës së Prishtinës (fshati pas vitit 1999 njihet edhe me emrin Merion).

Makolli shkollën 8-vjeçare e kreu në vendlindje, kurse atë të mesme në Prishtinë e Kastriot (ish-Obiliq) të Kosovës.

Shemsiu, qëkur ishte nxënës i këtyre shkollave u përkiste shoqërive letrare dhe artistike që vepronin në kuadër të këtyre institucioneve arsimore.

Në vitin 1986 pas përfundimit të mësimeve në shkollën e mesme me rezultat të shkëlqyer, dashuria për artin e vë në siklet s’e në çfarë fushe të studiojë.

Babai i tij Fejza, i lodhur dhe rraskapitur nga udhëtimi dhe puna e rëndë në minierën e Novobërdës, sot Artanës, nga dëshira që Shemsiu sa më shpejtë t’i dalë në ndihmë familjes i sugjeron që të studiojë në Shkollën e Lartë Teknike-drejtimi elektroteknikë, në Mitrovicë të Kosovës.

Meqenëse, Shemsiu kishte njohuri të përgjithshme në shkencat natyrore pahezituar përfill dëshirën e babait të tij. Ai si një i rinj entuziast dhe me vullnet të çeliktë studimeve u qaset seriozisht.

Kur, Shemsiun nga diplomimi e ndanin vetëm edhe dy provime Serbia, me tanke e kërbaç e shuan Autonominë e Kosovës, duke i nxjerrë në rrugë mijëra studentë dhe profesorë shqiptarë.

Makolli i dëshpëruar nga ky okupim barbar dhe i egër në agun e një mëngjesi të hershëm pranveror të vitit 1990, përgatit valixhen me pak plaçka dhe niset drejt Zvicrës.

I edukuar me dashurinë për punën edhe pse me një fillim aspak të lehtë vendos të studiojë gjuhën frënge moderne në Universitetin e Llozanës.

Meqë kishte bërë studime në elektronikë i ringjallet dëshira që ato t’i vazhdojë në mikroteknikë e menaxhment.

Me të fituar titullin specialist i standardeve ISO-9001, punësohet në gjigantin e njohur Hercagon Meterologie të Llozanës, ku ende vazhdon të punojë.

Paralelisht me punën ai nuk lë anash pasionin e tij të hershëm për poezinë.

Me afinitet të dukshëm në të gjitha zhanret e letërsisë Makolli, do ta rrëfejë sagën e familjes së tij dhe dramën tragjike të shqiptarëve të Kosovës të pushtuar nga Serbia.

Liliane Perrine, gazetare, krijuese dhe editore, e njohur në Zvicër, e inspiruar nga rrëfimet e Makollit e shkroi librin “Un marié sans importance”.

Parathënien e këtij libri e pati përgatitur Ismail Kadare, kolos i letërsisë sonë dhe asaj botërore.

Me këtë rast Kadare pati thënë ”Të shkruash roman për shqiptarët është një qasje (dukuri) e paparë deri me tani”.

Ky libër në vitet 1994 dhe 1995, vlerësohet me çmime ndërkombëtare në Paris të Francës dhe Montreal të Kanadasë.

Makolli më 1995, përpara lexuesve frankofonë dhe shqiptarë vjen me përmbledhjen poetike “Ne pleur pas’’ (Mos qaj) botuar nga shtëpia botuese “Bastian” e Llozanës.

Studiuesi dhe shkrimtari i njohur Bertil Galland, pas leximit të veprës së Makollit shprehet me fjalët:

“Shemsi Makolli, përveç që është poet është edhe muzikant i vërtetë i fjalëve. Ai nëpërmjet përvojës së tij personale me mjaft mjeshtëri arrin të pasqyrojë gjithë historinë e popullit të tij”.

Galland vlerësimin mbi veprën e Makollit e përfundon me fjalët: “Duke peshuar mirë fjalën time, lirisht mund të them që vargjet poetike të Makollit, mund të radhiten në mesin e vargjeve më të mira të lirikës evropiane të kohës sonë. (Gazeta “Nouveau Quotidien” 27 gusht 1995)

Poezia “Frontière” – Kufiri e shkëputur nga ky libër i Makollit, është kompozuar dhe shndërruar në këngë.

Në vjeshtën e vitit 2016, ajo është kënduar nga Ansambli Vokal i Llozanës, nën dirigjimin e Orkestrës “Grand Eustache” në qytete të ndryshme të Zvicrës.

Kjo poezi e kthyer në këngë nga kjo trupë artistësh të mrekullueshëm zviceranë, është kënduar në gjuhën shqipe dhe ka impresionuar publikun zviceranë dhe atë shqiptarë.

Makolli në përpjekje të vazhdueshme për të ofruar cilësi e jo sasi më 1997, e shkroi në frëngjisht dhe shqip komedinë teatrale “La belle vie” – “Jeta e bukur” botuar në Llozanë.

Ai, ndërkohë opusin e tij letrar e pasuroi edhe me poemën “Lahuta e këngëve të mia”- “La luth de mes chansons”

Makolli është autor edhe i librit “Pika që shpon gurin” botuar vetëm në gjuhën shqipe, nga shtëpia botuese ”Faik Konica” e Prishtinës, më 2016.

Edhe ky libër mirëpritet nga lexues e kritikë shqiptarë. Librin në fjalë e vlerëson lart edhe poeti e kritiku i ynë i mirënjohur Shefqet Dibrani. Ai në faqet e para të kësaj përmbledhje u bënë një analizë të gjitha poezive të përfshira brenda këtij libri.

Një vit më vonë Makolli duke i përpunuar mirë e mirë vargjet e tij, të reja i boton në frëngjisht-dhe shqip.

Libri titullohet “L’anatomie du Rêve” “Anatomia e ëndrrës” Botues i tij është “Editions de l’Aire” Vevey-Zvicër.

Vargjet e z. Makolli, kritikë dhe studiues të njohur të letërsisë në Zvicër dhe Francë, i klasifikojnë si vargje të lira që lindin si shprehje e nevojës së brendshme dhe strukturimit të përmbajtjes.

Makolli në vargjet e tij i përdor edhe figurat stilistike që në retorikën e vjetër janë konsideruar si stoli gjuhësore.

Derisa stilistika bashkëkohore përdorimin e dendur të tyre e konsideron si dëmtim të poezisë, Makolli, ato i vendos vetëm brenda tërësisë kuptimore dhe estetike.

Poezitë e Makollit për studim i kanë përzgjedhur edhe disa studentë të gjuhës dhe letërsisë frënge të Universitetit të Llozanës dhe Gjenevës.

Vargjet e tij që lexuesin e pushtojnë të terinë i gjejmë të prezantuara edhe në “Anthologie De La Poesie Suisse d’Aujourd’hui” ku janë të përfshirë 45 poetët më të mirë të Zvicrës.

Veç kësaj krijimtarisë së tij artistike dhe letrare i kanë bërë vështrime edhe gazetat me emër si, “Le Temps” e cila në rubrikën e saj speciale të kulturës prezanton krijuesit më të frytshëm në Zvicër dhe jashtë saj.

Makolli me sukses shkruan edhe tregime të përafërta me novelat. Një nga tregimet që me ëndje lexohet nga të gjithë është ai frëngjisht-shqip “Le pain du chateau”- “Buka e Kështjellës”

Makolli si krijues produktiv ka qenë mysafir edhe në shumë emisione Radio-televizive të Zvicrës dhe Francës.

Poashtu vargjet e tij i ka prezantuar edhe në panaire të ndryshme ndërkombëtare të librit.

Makolli është autor edhe i librave” Elégie d’automne “”Elegji vjeshte” botuar në frëngjisht më 2019, nga “Editions de l’Aire” Vevey – Zvicër.

E, njëjta shtëpi botuese në vitin 2022, duke e konsideruar z.Makolli, si autor serioz e me vlera i boton librin “Deesses profanes”-“Hyjnesha të përdhosura”

Ky libër i përshtatur dhe adaptuar vitin që shkoi është botuar edhe në gjuhën shqipe, nga shtëpia botuese “Faik Konica”e Prishtinës.

Librit ia shumëfishon vlerën një vështrim i thukët kritik i shkruar nga doajeni i publicistikës dhe gazetarisë zvicerane Bertil Galland, autor i mbi 18 veprave dhe romaneve të cilësuara si perla të letërsisë bashkëkohore.

Makolli, këtë libër me temë rrënqethëse ua kushton mbi 20mijë grave dhe vajzave shqiptare të Kosovës, të dhunuara gjatë Luftë në Kosovë 1998-1999, nga grupe kriminelësh serbë të veshur me uniformën e policit dhe ushtarit.

Ky libër që flet për fatin tragjik të nënave dhe motrave tona është përzgjedhur në mesin e dhjetë librave më të mirë.

Shtjellimi me mjeshtri i temës ka bërë që libri të jetë në konkurrencë të ngushtë edhe për çmimin letrar ”Guillaume Apollanaire” që u dedikohet kryesisht krijueseve frankofonë.

Marie-Therese Boouchardy, poete dhe studiuese e historisë, kritikës dhe teorisë së letërsisë pas analizës së veprës së Makollit, në revistën “Revue Choisir” (Të zgjedhësh ) shkruan: “Dhunimin si aktin më të rëndë të shoqëruar me rrezik të zhbërjes së popullit të tij, poeti kosovar, Shemsi Makolli, i mërguar në Llozanë të Zvicrës, e klith me tërë fuqinë e neverisë së tij nëpërmjet këtyre vargjeve therëse”

“Këto poezi të gdhendura në shpirtin e poetit, sikur shfaqin vdekjen e një universi dhe nxjerrin nga heshtja baladën e njëzetmijë femrave të dhunuara”
“Me fuqinë e tyre duhet të shqetësojnë netët tona të qeta, që të mos i fshehim këto humnera tmerri të grave të dhunuara e të fëmijëve të lindur nga ato akte makabër”.

“Ato meritojnë të mos fshihet ky realitet i rëndë.”

Makolli, duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar me këtë vepër tejet prekëse dhe të ndjeshme, gjatë këtyre ditëve ka qenë i ftuar në emisionin mjaft të dëgjuar “FORU” të autores së njohur zvicerane, Anne Fournier.

Artikullit për ata që janë njohës të gjuhës frënge në shtojcë po ia bashkëngjisim edhe nyjën ku lexuesit mund ta gjejnë të plotë intervistën e zotit Shemsi Makolli, dhënë zonjës Anne Fournier, me rastin e ditës ndërkombëtare të të pagjeturve.

Shpresojmë që Makolli me stilin e tij krijues krejt të veçantë nga të tjerët së shpejti do të na gëzojë edhe me ndonjë vepër tjetër.

ARIF EJUPI