Marina Vjollca po rikthehet. Flasim për rikthim jo vetëm në ekran por tek një dashuri e vjetër.
Moderatorja ka disa muaj larg televizionit, pas përfundimit të “Klanifornias”. U përfol shumë lidhur me të ardhmen e saj pas përfundimit të showt humoristik. Por, ajo vendosi të bënte një pauzë dhe tani është gati të rikthehet.
Burime për “Class” bëjnë të ditur se Marina do jetë moderatore e emisionit sportiv dedikuar “Kampionatit Europian” në Tv Klan. Shqiptarët do të mund të ndjekin ndeshjet e kombëtares kuqezi si dhe të gjithë skuadrave të tjera pjesëmarrëse në “Kampionatin Europian 2024” në Gjermani në Tv Klan këtë vit.
Nga 14 Qershori e deri më 14 Korrik transmetimet do të nisin me ndeshjet e orës 15:00 për të vijuar me ato të orës 18:00 dhe ato të mbrëmjes, në orën 21:00. Veç transmetimit të të gjitha sfidave, Tv Klan do t’i kushtojë “Euro 2024” hapësira të dedikuara me programe të posaçme gjatë gjithë ditës para dhe pas çdo ndeshjeje. Një show të madh çdo mbrëmje shikuesve do t’u ofrohet mundësia që të përjetojnë të gjitha emocionet e këtij eventi të madh sportiv, me fokus të veçantë tek kombëtarja shqiptare.
Ky emision rikthen Marinën te sporti pas 7 viteve. Kujtojmë se ajo ka qenë bashkëmoderatore e emisionit sportive në Top Channel “Procesi Sportiv” krah Ed Manushit. Në 2017 ajo u largua nga ky program pas 10 vitesh për tu bërë pjesë e TV Klan, fillimisht me emisionin “C’est la vie” e më pas me “Klanifornia”.
lokimagazine