LifeStyle

E pabesueshme mosha se kur vajzat fillojnë të fiksohen pas pamjes së tyre

Shumica e gocave e kuptojnë pëlqimin për të bukurën dhe pamjen e jashtme para se të dinë të shkruajnë dhe të lexojnë. Një studim i fundit, i kryesuar nga studiuesja May Ling Halim intervistoi 170 fëmijë të moshës tre deri në pesë vjeç për të mësuar së në cilën moshë ata fillojnë të kujdesen dhe të fiksohen për pamjen e tyre të jashtme.

Studimi zbuloi se vajzat, pa shkuar ende në klasë të parë i kushtonin shumë vëmendje bukurisë, ndërsa djemtë e së njëjtës moshë jo.  

“Në të gjitha elementët që ne studiuam, vajzat vlerësuan shumë pamjen e tyre. Ato thanë se për të qenë vajza duhet të ishin të bukura dhe të dukeshin njëherësh po kaq mirë dhe bukur. Kjo ishte shumë e rëndësishme për to,” shkroi studiuesja.  

Kur u paraqitën me një përzgjedhje veshjesh dhe profesionesh, vajzat zgjodhën veshjet më të ngarkuara me motive dhe ngjyra dhe profesionet e lidhura me pamjen si të qenit modele, parukiere, estetiste etj.  Kjo përputhet me një studim tjetër të cituar nga Halim, i botuar nga “ International Society for Self and Identity”, zbuloi se vajzat e reja ishin më shumë të orientuara drejt lodrave që fokusoheshin në pamjen e jashtme.

Vajzat kishin rreth pesë herë më shumë mundësi se djemtë që të thoshin se e vlerësonin një personazh të kulturës pop për pamjen e tyre sesa djemtë, duke shprehur gjëra të tilla si: “Më pëlqejnë të gjitha princeshat sepse janë të bukura.” Në vend të kësaj, djemtë kanë tendencë të zgjedhin të preferuarit e tyre si Spider-Man apo të tjerë personazhe me fokus më shumë te fuqia mashkullore.

Studiuesit janë në një mendje kur thonë se kjo moshë, pra pa kapërcyer akoma pesë vjeç është shumë herët dhe shumë shqetësuese për të formësuar më pas modele vajzash dhe grash që nuk fiksohen kaq shumë pas pamjes së jashtme.

Nëse një fëmijë është i zhytur në këto stereotipe gjinore dhe ideale trupore në moshën 5-vjeçare, imagjinoni se çfarë do të mendojë në moshën 15-vjeçare.