Dielli mund të ketë të këqijat e veta kur njeriu ekspozohet në pikun e tij, e megjithatë ekspertët thonë se ai ofron shumë përfitime për rënien nga pesha.
Le të kuptohemi drejt, njeriu nuk humbet në peshë vetëm duke qëndruar në diell.
Megjithatë, ky i fundit krijon kushtet e përshtatshme në trup për rënien nga pesha.
Serotonina
Shumë vende të tjera të botës nuk gëzojnë mot me diell si në rastin e Shqipërisë.
Banorët e këtyre vendeve përballen me shumë çrregullime si pasojë e mungesës së diellit.
Kjo e fundit shkakton rënien e ndjeshme të serotoninës në tru.
Rënia e kësaj substance shkakton jo vetëm luhatje humori por edhe depresion.
Nivelet e ulëta të serotoninës ndikojnë edhe tek oreksi, ndjesia e urisë dhe ngopjes.
Teoria e Nxehtësisë Dhe Rënies Nga Pesha
Uria kontrollohet nga një pjesë e trurit e quajtur hipothalamus që bashkëpunon me serotoninën për shuarjen e urisë.
Kur trupi merr kaloritë e mjaftueshme, truri çliron serotoninë që përcjell ndjesinë e ngopjes.
Mungesa e diellit ndikon në sasitë e çliruara të serotoninës dhe njeriu nuk ndihet i ngopur aq shpejt duke shkaktuar kështu një ushqyerje të përsëritur e të vazhdueshme.
Ndërkohë teoria e rolit të nxehtësisë tek rënia nga pesha shpjegohet si më poshtë.
Rënia e temperaturës së trupit nënkupton një ndjesi të madhe të urisë.
Kur temperaturat janë të larta, njeriu ndihet më pak i uritur.
Pra sipas kësaj teorie, në mungesë të diellit, njeriu ha më shumë dhe shëndoshet më shpejt, gjë që mund të shtojë gjasat e luhatjeve jo të shëndetshme të peshës.
Në këtë pikë, ekspertët gjithashtu rekomandojnë shumë aktivitet fizik, të cilat me rritjen e temperaturave bëhen më të shpeshta.
Sipas tyre, kur temperaturat rriten, pra në pranverë apo në verë dhe dita është më e gjatë, njeriu është më shumë në lëvizje.
Aktivitete si ecja, noti, vrapi do ju ndihmojnë të digjni më shumë kalori dhe rrjedhimisht të humbisni më shumë kilogramë të tepërt.