Gazeta gjermane BILD, ka publikuar historinë e një 83-vjeçareje që për shkak të një ngatërrese avioni në aeroportin e Nurembergut në Gjermani përfundoi në Tiranë në vend që të shkonte në Athinë. Fluturimi i të moshuarës ishte prenotuar nga djali i saj i cili jeton në kryeqytetin grek dhe që kishte paguar edhe asistencë për nënën e tij për ta shoqëruar gjatë udhëtimit.
Por punonjësit e aeroportit e hipën të moshuarën në avionin e gabuar. Ajo zbarkoi në Shqipëri në vend të Greqisë. 83-vjeçarja, në një karrocë me rrota nuk dinte ku të shkonte në aeroportin e Tiranës derisa u pikas nga një punonjës i sigurisë.
Ajo nuk fliste as gjermanisht dhe as anglisht dhe vështirë se mund të komunikonte në një vend të huaj. Pasi u lidh me vajzën që kishte në Gjermani, të moshuarës i rezervuan në një hotel pranë aeroportit në Tiranë derisa mori një avion tjetër për në Athinë. BILD thotë se autoritete janë duke e e hetuar rastin se si ndodhi ngatërresa.