Shëndetësi

Gratë me kancer gjiri mund të shmangin kimioterapinë e panevojshme me testin e ri të gjeneve

Mijëra gra të diagnostikuara me kancer gjiri çdo vit mund të shmangin së shpejti kimioterapinë e panevojshme falë një testi gjenesh të aprovuar rishtazi. Aktualisht pacientet me kancer të gjirit i cili mund të jetë përhapur diku tjetër do t’i nënshtrohen një operacioni për të hequr tumoret dhe më pas do t’u jepet kimioterapia në mënyrë që të zvogëlohen shanset për t’u rikthyer.

Megjithatë, rreziku që kjo të ndodhë për shumicën është i ulët, që do të thotë se shumë gra marrin kimioterapi të panevojshme – e cila shpesh vjen me efekte anësore rraskapitëse si lodhja dhe vjellja. Testi i ri – i njohur si Oncotype DX – mund të analizojë indin e tumorit dhe, duke kërkuar gjenet që lidhen me kancerin agresiv, mund të konkludojë se sa gjasa ka të kthehet.

Nga testi mund të përfitojnë pacientet me kancer të gjirit i cili është përhapur në nyjet limfatike, shumicës së të cilëve u ofrohet kimioterapia për shkak të frikës se është përhapur në organe të tjera.

Studimet tregojnë se pajisja, e cila kushton rreth 2000 £ për test, mund të identifikojë 85 për qind të këtij grupi pacientësh, kanceri i të cilëve nuk ka gjasa të kthehet – duke i shpëtuar ata nga kimioterapia.

Tani mbikëqyrësi i shpenzimeve të NHS ka njoftuar se shumica e grave pas menopauzës me kancer të gjirit në fazën e hershme, i cili është përhapur gjithashtu në nyjet limfatike, do të munden ta bëjnë testin.

Nga vendimi pritet të përfitojnë më shumë se 3000 gra çdo vit. Rreth 55,000 gra dhe 400 burra diagnostikohen me kancer gjiri çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar, por përparimet në trajtim gjatë dekadës së fundit nënkuptojnë se pothuajse nëntë nga dhjetë janë ende gjallë pesë vjet pasi janë diagnostikuar. Rreth katër në pesë pacientë do t’i nënshtrohen operacionit për të hequr kancerin ose vetë gjirin.

Testi Oncotype DX përfshin marrjen e një kampioni të tumorit të gjirit gjatë operacionit të heqjes së kancerit. Më pas dërgohet në laborator në SHBA, ku analizohet për 21 gjene të ndryshme të cilat tregohen se parashikojnë se kur kanceri do të kthehet. Nëse ka më pak se 16 nga këto gjene të pranishme, atëherë pacientit do t’i thuhet se ka të ngjarë të mos ketë nevojë për kimioterapi. Nëse gjenden 16 ose më shumë, atëherë ndoshta nevojitet kimioterapia.

“Aktualisht është e vështirë të dihet se kush do të përfitojë nga kimio, kështu që ne ua japim atë shumicës së pacientëve si masë paraprake”, thotë prof. Simon Holt, një kirurg onkolog në Universitetin Swansea. “Testi Oncotype DX na lejon të zgjedhim me saktësi pacientët që kanë më shumë nevojë për trajtimin. Gjithashtu u jep pacientëve të tjerë besim se kanceri nuk do të kthehet.’