Duket se pirja e alkoolit para gjumit gjatë fluturimeve me avion sjell një rrezik të madh për shëndetin tuaj, kjo sipas një hulumtimi të fundit.
Kombinimi i konsumit të alkoolit, gjumit dhe përqendrimit të ulët të oksigjenit në lartësi të mëdha zvogëlon furnizimin e gjakut me oksigjen, rrit rrahjet e zemrës dhe dëmton cilësinë e gjumit. Efektet u identifikuan te pjesëmarrësit e rinj dhe të shëndetshëm në studim, ndërsa rreziqet shtohen për të moshuarit dhe ata me problem shëndetësore.
Studiuesit nga “German Aerospace Center’s Institute of Aerospace Medicine” dhe “Aachen University” thanë njëherësh se nëse e keni kthyer në zakon pirjen e një gote alkooli para dremitjes gjatë orëve të udhëtimit me avion, kjo ndikon direkt në cilësinë e gjumit. Autorja e studimit Eva-Maria Elmenhorst tha për NBC News se “ekipi mbeti i befasuar kur pa se efekti ishte kaq i fortë” dhe rekomandoi shmangien e alkoolit gjatë fluturimit.
Nën efektin e shtuar të konsumit të alkoolit, testet laboratorike treguan se rrahjet e zemrave të personave që u analizuan, u rritën dhe gjumi i thellë u bë thuajse i pamundur.
Edhe “pjesëmarrësit e rinj në moshë dhe të shëndetshëm” vuanin nga ngopjet “klinikisht të rëndësishme” dhe problemet e rrahjeve të zemrës gjatë gjumit, zbuloi i njëjti studim.
“Doza më të larta të alkoolit mund të përforcojnë këto efekte, duke përshkallëzuar rrezikun e ndërlikimeve shëndetësore dhe emergjencave mjekësore gjatë fluturimit, veçanërisht për individët e moshuar dhe atyre me probleme mjekësore,” përfundon ajo.