LifeStyle

Çfarë të bëni nëse ndiheni të vetmuar gjatë fundjavave në verë

Ka shumë njerëz që e shijojnë verën në maksimum pikërisht për adrenalinën që ofron si stinë…Diell, det, rërë, plazh, fundjava të zgjatura dhe më shumë arratisje në destinacione të reja dhe të bukura.

Por, për disa persona fundjavat e verës japin një ndjesi vetmie dhe plogështie dhe psikologia Elizabeth Lombardo thotë se kjo është normale.

“Ju shihni njerëz në plazhe që hedhin foto dhe video nga vende argëtuese me miqtë dhe familjarët. Kjo ju jep atë ndjesinë e dështimit, vetmisë, fakti që ju nuk po bëni asgjë dhe jeni mbyllur në shtëpi…Të gjitha këto bashkë bëhen faktorë që të ndikojnë për keq në gjendjen tuaj mendore,” thotë ajo.

Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme, duket se muajt e verës ndikojnë në pjesën e trishtimit te njerëzit, sipas ekspertes Lombardo.

“Për disa njerëz, nxehtësia e këtyre muajve është pengesë. Vapa e madhe, djersa, dielli, nuk keni dëshirë për aktivitete pasi keni edhe pasoja nga fëmijëria kur e gjenit veten të përcëlluar në diell për orë të tëra, pra ka shumë faktorë që ruhen në nënndërgjegjen tonë për ta bërë kësisoj verën një nga sezonet më të padëshiruara,” shton ajo.  

Nëse doni që të shpëtoni nga kjo ndjesi e trishtimit dhe vetmisë, përgjatë një sezoni që sapo ka filluar, ju duhet t’i trajtoni fundjavat e verës krejt normalisht si të gjitha fundjavat e tjera të vitit. Jepini përparësi gjërave që ju bëjnë më të lumtur, mund të jetë një takim me miq të vjetër, një skarë me kushërinjtë dhe të afërmit ose thjesht qëndrim në shtëpi.

Thjesht, kujtojini vetes herën e fundit kur jeni ndjerë mirë me veten: Mund të ketë qenë leximi i një libri të ri, një kalim në muze dhe galeritë e artit në qytet, disa seri të reja në Netflix, provimi i një recete të re gatimi etj.

Nëse këto gjëra ju kanë bërë të ndiheni mirë, jepini kohë vetes për t’i rijetuar edhe gjatë verës, pavarësisht se duken si aktivitete të vogla dhe të parëndësishme.

Një qasje tjetër që duhet ta praktikoni sipas ekspertes Lombardo, është një detoks dixhital, pra pushim nga rrjetet sociale dhe aplikacionet që shkaktojnë stres. Pavarësisht se ju e dini që postimet në TikTok apo Instagram nga plazhet më të bukura, nga restorantet më të lezetshme, ndonjëherë janë një zbehje e asaj që fshihet pas, pasi çifti që ju njihni apo të afërmit tuaj kanë problemet e tyre, sërish mendja nuk ndalet së krahasuari.

Praktikoni meditimin dhe detoksin dixhital, përqendrohuni në gjërat që realisht ju japin kënaqësi pavarësisht faktit se miqtë apo të njohurit tuaj janë arratisur gjatë fundjavave dhe sa më pak ndjesi krahasuese me jetën e të tjerëve.

Vetëm kështu do të shpëtoni nga ndjesia e trishtimit dhe vetmisë gjatë verës!