LifeStyle

A duhet të konsumojnë sheqer fëmijët?

A duhet të konsumojnë sheqer fëmijët?

“American health association” pohon se për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet kardiovaskulare duhet evituar përdorimi i sheqerit deri në moshën 2 vjecare, si edhe duhet përdorur në mënyrë të moderuar deri në moshën 18 vjecare, konkretisht rreth 25 gr në ditë.

Sheqeri konsiderohet prej kohësh si një faktor rreziku për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, hipertensionit dhe diabetit shkruan përnënat.al. Ju duhet të keni parasysh se kur flasim për sheqerin, nuk e kemi fjalën për atë që përmbajnë disa ushqime si për shembull frutat dhe qumështi, por për sheqerin që shtohen gjatë përgatitjes së tyre në shtëpi apo në proceset industriale (sakaroza, glukoza, fruktoza, mjalti dhe shurupët).

 

Sigurisht që mendja të shkon tek tortat, biskotat, akulloret dhe karamelet, por duhet të theksojmë se sheqeri është i pranishëm edhe në disa ushqime për të cilat ndoshta nuk kemi dyshuar ndonjëherë më parë. Të tille janë hamburgerat, paninet si edhe disa salca si ketchup-i, për të mos përmendur pijet me gaz, cajin e ftohtë, pijet energjike (një kanace përmban rreth 40 gr sheqer).

 

Sipas ekspertëve amerikanë sa më shumë sheqer të ketë në dietën e fëmijëve dhe adoleshentëve, aq më i madh do të jetë rreziku për tu shfaqur obeziteti tek fëmija, hipertensioni, të rritet niveli i yndyrës në gjak, të shfaqet diabeti etj. Mendohet gjithashtu se fëmijët të cilët konsumojnë shumë ushqime të pasura me sheqer të shtuar, konsumojnë më pak ushqime të shëndetshme si fruta, perime dhe drithëra integrale.

 

Dy rekomandimet kryesore të specialistëve amerikanë:

 

Fëmijët deri në moshën 2 vjecare nuk kanë nevojë për sheqer, dhe aq më tepër të mësohen me shije të ëmbla. Pra përdorimi i sheqerit dhe mjaltit duhet të evitohet.

Midis moshës 2 dhe 18 vjecare, fëmija nuk duhet të marrë më shumë se 25 gr sheqer në ditë. Ata mund të konsumojë rrallëherë ndonjë ëmbëlsirë dhe pije, sasia e të cilave nuk duhet të jetë më shumë se 1 në javë. Dieta e tyre duhet të jetë e pasur me fruta, perime, mish, peshk, drithëra integrale dhe prodhime qumështi me pak yndyrë.