Mbetjet e një anijeje dhe ngarkesa që ajo mbante, që besohet të jetë 3300 vjeçare, janë zbuluar në Mesdheun lindor, kanë bërë të ditur arkeologët izraelitë.
Qindra amfora të paprekura u zbuluan 90 kilometra larg bregut verior të Izraelit në një thellësi prej 1800 metrash. Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit (IAA) thotë se ky zbulim sugjeron se marinarët e asaj periudhe përdorën pozicionin e diellit dhe yjeve për lundrim, shkruan bbc.
Mbeturinat u gjetën gjatë kërkimeve rutinë të naftës dhe gazit.
Sipas IAA, ajo është rrënoja më e vjetër e gjetur në rajon. Anija ndoshta u mbyt gjatë një stuhie ose për shkak të një sulmi piratësh.
“Ky zbulim na zbulon si kurrë më parë aftësitë lundruese të marinarëve të lashtë”, tha Jacob Sharvit, kreu i njësisë detare të IAA. Ai shtoi se kjo tregon se paraardhësit tanë ishin në gjendje të lundronin përtej Detit Mesdhe pa parë bregun në horizont.
“Nga kjo pikë gjeografike është i dukshëm vetëm horizonti. Ata ndoshta kanë përdorur trupa qiellorë për lundrim”, tha ai.
Ngarkesa u pikas nga robotët e kompanisë së naftës Energean, e cila po kërkonte burime të reja potenciale të energjisë pranë bregdetit izraelit.
Vetëm dy amfora – që besohet se janë përdorur nga kananitët që jetonin në një zonë që shtrihej nga Turqia e sotme në Egjipt – u hoqën duke përdorur mjete të projektuara posaçërisht, në mënyrë që të mos shqetësoheshin artefaktet e mbetura.
Bahartan thotë se zbulimi i tyre është “vërtet i bujshëm”. Ajo tha se ka vetëm dy anije të tjera të njohura të ngarkesave të Epokës së Bronzit të Vonë në Detin Mesdhe dhe të dyja u gjetën relativisht afër bregdetit turk duke përdorur pajisje normale zhytjeje.
“Në bazë të këtyre dy zbulimeve, supozimi akademik deri më tani ishte se tregtia në atë kohë bëhej duke lundruar nga porti në port dhe se anijet nuk u larguan nga bregu”, tha Dr. Bahartan.
“Zbulimi i kësaj anijeje tani ndryshon të gjithë kuptimin tonë për aftësitë e lashta detare. Është e para që gjendet në një distancë kaq të madhe nga toka”, tha ajo.
Anijet pritet të shfaqen këtë verë në Kampusin Kombëtar për Arkeologjinë e Izraelit në Jerusalem.