Shëndetësi

Çfarë është goditja nga dielli? A i keni pasur këto simptoma?

Temperaturat e larta që kanë “pushtuar” vendin ditëve të fundit kanë sjellë pasoja shëndetësore të shumë qytetarë.

Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore me anë të një statusi të gjatë në rrjetet sociale, ka shpjeguar me detaje se cilat janë simptomat të goditjes nga dielli si edhe disa këshilla se si të mbrohemi në këto ditë, kur termometri ka arritur deri në 40 gradë celcius.

Siç bëhet e ditur, e gjithë kjo situatë vjen atëherë kur sistemi i brendshëm i rregullimit të temperaturës nuk arrin të eliminojë sasinë e tepërt të nxehtësisë me qëllim ruajtjen e vlerave normale të temperaturës trupore. Kjo gjë shkakton dhimbje kokë, të vjella, dridhje trupi, e për pasojë duhet të pasur kujdes. Evitimi i daljes në oraret e pikut, 11:00-17:00, mbrojtja me kapele dhe syze dielli, ushqimi, janë disa nga rregullat kryesore.

Njoftimi i plotë

Temperaturat e larta dhe Goditja nga Dielli.

Periudha të zgjatura me kushte meteorologjike ekstreme, të karakterizuara nga rritja e temperaturave mbi vlerat e zakonshme, imponojnë ndërmarrjen e disa masave për parandalimin dhe trajtimin e efekteve anësore të nxehtësisë mbi shëndetin.

Efektet anësore të të nxehtit mbi shëndetin manifestohen atëhere kur sistemi i brendshëm i rregullimit të temperaturës nuk arrin të eliminojë sasinë e tepërt të nxehtësisë me qëllim ruajtjen e vlerave normale të temperaturës trupore. Defiçitet e kompensimit fillimisht manifestohen me shenja dhe simptoma lehtësisht të korrigjueshme me ndërprerjen e ekspozimit ndaj nxehtësisë. Por nëse ekspozimi vazhdon shenjat dhe simptomat e dekompensimit bëhen më serioze dhe njihen si stresi nga nxehti dhe goditja nga i nxehti(Dielli).

Rritjet ekstreme të temperaturave mund të rëndojnë gjëndjen e personave me patologji kronike. Rruga kryesore e eliminimit të nxehtësisë është nëpërmjet djersitjes, por në situate fizike dhe ambjentale ekstreme, ky mekanizëm është i pamjaftueshëm. Nëse dhe shkalla e lagështisë së ambjentit është e lartë djersa avullon ngadalë dhe temperature trupore mund të arrijë vlera mbi 40°C, duke dëmtuar organet vitale të organizmit.

GODITJA NGA DIELLI.

Janë dy karakteristika themelore që duhet të shkaktojnë alarmin:

Një koshienc e ndryshuar, domethënë personi është i përgjumur ose fillon të sillet në një mënyrë atipike, të thotë gjëra pa sens dhe ndalimi i djersitjes.

Janë shenja rreziku serioz, përballë të cilëve duhet ndërhyrë sa më shpejt.

Goditja nga të nxehtit prodhon:

Edemë të trurit dhe mund të krijojë mosfunksionim multiorganik dhe multisistemik të tij dhe mund të jetë fatal nëse nuk njihet dhe trajtohet menjëherë.

Në këto raste, pasi ta keni çuar pacientin në hije në një vend të freskët dhe të ajrosur,

është e nevojshme ta lagni, duke e mbështjellë me rroba të lagura, duke e lagur me ujë ose duke i vendosur copa akulli të mbështjella me peshqir, në të dy anët e qafës, nën sqetull dhe në inguine (në rrëzë të kofshës).

Kjo procedurë ftohjeje duhet të zgjasë të paktën 20 minuta, duke pritur që të mbërrijë 127, e cila duhet të thirret menjëherë.

Faktorët që ndikojnë mbi termorregullimin janë:

1. Mosha(tek fëmijët e vegjël dhe tek të moshuarit është i reduktuar)

2. Sëmundjet preegzistuese

3. Përdorimi i disa medikamenteve

4. Konsumimi i drogës dhe alkoolit

Shenjat dhe simptomat nga i nxehti:

Të parat që shfaqen janë:

1. Dhimbje koke

2. Nauze dhe të vjella

3. Lëkurë e zbehtë dhe e ngrohtë

4. Puls i dobët

5. Rritje e temperaturës trupore

6. Gjëndje të fikti

7. Edema

8. Krampe muskulore

Më pas nëse ekspozimi vazhdon:

9. çrregullime të koshiencës qe variojne nga konfuzioni deri në humbje të plotë të koshiencës dhe konvulsione

10. Rritje e frekuencës kardiake

11. Dëmtime të rënda cerebrale , dekompensim akut kardiak dhe vdekje.

PROTOKOLLI i masave per parandalimin e demtimeve nga i nxehti

1. Të evitohet ekspozimi ne diell. Sidomos në pikun e temperaturave(nga ora 11.00 deri në 17.00)

2. FRESKONI AMBIENTIN E SHTEPISË DHE TË PUNËS. Ambjenti në të cilin jetoni të jetë i freskët dhe i ajrosur mirë, nëpërmjet ajrit të kondicionuar, ventilatorëve ose nebulizatorëve për lagështimin e ajrit. Të vendosen perde të errëta sidomos në dritaret e ekspozuara ndaj rrezatimit diellor. Të vendosen termometra për matjen e temperatures së ambjentit ku shpenzojnë më shumë kohë. Mbyllni dritaret gjatë ditës dhe hapni ato gjatë orëve më të freskëta të ditës (në mbrëmje dhe gjatë natës). Nëse përdorni ajër të kondicionuar, mbani mend se ky mjet efektiv duhet të përdoret duke marrë disa masa paraprake për të shmangur pasojat shëndetësore dhe konsumin e tepërt të energjisë. Në veçanti, rekomandohet përdorimi i tyre mundësisht në ditët me kushte të rrezikshme të motit; për të rregulluar temperaturën ndërmjet 24°C – 26°C; të mbulohet kur kalon nga një mjedis i ngrohtë në një mjedis më të ftohtë; të sigurojë mirëmbajtjen e tyre dhe pastrimin e rregullt të filtrave; për të shmangur përdorimin e njëkohshëm të pajisjeve shtëpiake që prodhojnë nxehtësi dhe konsumojnë energji.

3. PINI RREGULLISHT DHE HANI SHPESH.

Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë. Evitoni pijet shumë të ftohta, ato me gas, me shumë sheqer dhe aditivë të tjerë.

4-Pini të paktën 2 litra ujë në ditë (përveç nëse ju keshillon ndryshe mjeku juaj). Të moshuarit duhet të pinë edhe nëse nuk e ndiejnë nevojën. Shmangni pirjen e alkoolit dhe kufizoni marrjen e pijeve të gazuara ose shumë të ftohta. Hani mundësisht ushqime të lehta me përmbajtje të lartë uji (fruta dhe perime).

Kushtojini vëmendje të veçantë ruajtjes së ushqimeve dhe mos i lini ato jashtë për më shumë se 2 orë.

Të konsumohen vakte ushqimore të shpeshta, në sasi të vogël, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm.

5. Të vishen me rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku ose linoje me qëllim thyerjen e rrezatimit UV.

6. Për personat që përdorin terapi mbajtëse, të mos e ndërpresin apo ndryshojnë atë, pa u konsultuar me mjekun përkatës.

7. Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe pa u tharë me peshqir.

8. Asnjëherë mos e pezulloni terapinë e vazhdueshme me iniciativën tuaj.

9. MBIKËQYRJE DHE KUJDESJE PËR NJERËZIT E RREZIKUAR.

Gjatë periudhave të zgjatura të nxehtësisë intensive, kushtojini vëmendje anëtarëve të moshuar të familjes ose fqinjëve, veçanërisht nëse ata jetojnë vetëm dhe kur është e mundur, ndihmojini ata të kryejnë disa punë të vogla, si pazaret, marrja e barnave në farmaci, etj. Raportoni në shërbimet sociale dhe shëndetësore çdo situatë që kërkon ndërhyrje, si p.sh. personat e pastrehë në kushte nevoje serioze, të varfërisë së rëndë ose në rrezik për shëndetin e tyre.