Mësuesja dhe aktivistja Ina Kasimati u nda nga jeta para disa kohësh për shkak të kancerit.
Por përpara se të ndërronte jetë, ajo publikoi një letër akuzë të rëndë për gjendjen në Spitalin Onkologjik.
Letra e saj është bërë virale këto ditë, kur ka shpërthyer skandali i Spitalit Onkologjik.
INA KASIMATI – LETRA AKUZË (gusht 2023)
(Mësuese Ina u nda nga jeta në 23.03.2024)
Unë kur u diagnostikova me kancer gjiri para 4 vitesh, operacionin e bëra te Spitali Onkologjik në QSUT.
Jam operuar (unë dhe shumë pacientë) në një krevat me tre këmbë dhe m’u hoqën të gjitha limfonodulat pasi kështu ishte aparatura.
Më pas shefja e terapisë, Dr.Dhurata nuk më dha terapinë sipas protokollit dhe vetëm kur shkova në Itali për vizitë, e mësova këtë gjë.
Kur u ktheva dhe ia thashë Dr.Dhuratës, ajo më tregoi listën e pacientëve që prisnin prej disa muajsh të merrnin Zoladexin. I shkruajta atëherë Drejtorit të përgjithshëm z.Enkelejd Joti. Asnjë përgjigje.
I shkruajta ministres, znj.Manastirliu. Asnjë përgjigje. Pastaj një shoqe më sugjeroi t’i shkruaja kryeministrit. M’u duk absurde, por e bëra.
Dhe për gjysmë ore drejtori i spitalit më shkruajti një sms (të lante gojën) Znj.Kasimati, ju e keni marré ilaçin në farmacinë e spitalit… (qesharake)
E kundërshtova dhe i shkruajta që nuk e kam marrë ilaçin dhe as që e dija ku ishte farmacia e spitalit.
Pas disa ditësh më telefonuan dhe u futa në listë për ilaçin. Pas tre vitesh (d.m.th vitin e kaluar) kur m’u përsërit sëmundja dhe u bë publike thirrja për të më ndihmuar financiarisht të ikja jashtë dhe qindra shqiptarë filluan të më mbështesnin, më mori në telefon ministrja znj.Manastirliu dhe më pyeti për shëndetin.
I thashë dua të iki në një spital jashtë, pasi Spitali Onkologjik për mua ishte kthyer në një tmerr që tek dera e hyrjes ku të shtynte polici dhe koordinatori.
Ndërsa në dhomën e vogël të onkologes ku shkoja çdo tre muaj për ironi pas Covid-it ishin dy mjekë, që thjesht mbushnin kartelën dhe ikja bëja terapinë.
Asnjë krevat në dhomë, as stetoskop, as privatësi të komunikoje me doktorin, tek dera prisje në këmbë në radhë…
Nuk e di nëse keni shkuar në Spitalin Onkologjik, në katin e parë ku janë vendosur foto nga Shqipëria turistike me një diçiturë në anglisht të një firme farmaceutike: Bëje tani, atë që pacienti ka nevojë më pas.
Aty ishte edhe një fotografi nga një kishë në Voskopojë ku në oborr ishte një varr… Kur e kam parë jam tmerruar. I bëra foto. Ia dërgova drejtorit, e postova edhe në faqen time në FB dhe më pas u hoq …
Para se të nisesha në Francë, falë mbështetjes së shqiptarëve dhe jo të shtetit, unë prisja përgjigjen e biopsisë, por nuk e mora pasi në spital mungonin kitet …
Ndërkohë në ato korridore spitali kam takuar familjarë të pacientëve aty, të shqetësuar për mungesë të ilaçeve, kimioterapisë… Për të mos folur për skanerin që ngelet si një gjë e rrallë që të bëhet dhe jo si një procedurë rutinë për të të ndjekur në ecurinë e trajtimit mjekësor apo analizat, ilaçet… Një pacient që derdh sigurimet shëndetësore nuk ka pse t’i shkruajë drejtorit, ministrit, kryeministrit…
Është turp!
Në cilin vend të Europës ndodh kjo? Shërbimi shëndetësor duhet të jetë një normalitet nëse trajtohesh/operohesh në spitalin publik dhe nëse nuk bëhet aty, skena e sigurimeve shëndetësore e merr përsipër mbështetjen e pagesës për pacientin…
Pse pasi bëhesh publik dhe kërkon ndihmë, ministrja të merr në telefon dhe ”lan moralin” që shteti e dha ndihmën… Jam kurioze të di në rastin e aktorit Fuga çfarë mbështetje i ka dhënë shteti, kur ai është një pagues i sigurimit shëndetësor? Po Pr.Petrela çfarë ka bërë konkretisht kur ai është doktor në spitalin publik dhe neurokirurgu më i mirë?