Lajme

Finlandë: Sopranoja Qerkezi, me rol në operën e Verdit

Sopranoja Marigona Qerkezi ka bërë të ditur se përgjatë muajit korrik do të performojë në Festivalin prestigjioz të Operas “Savonlinna” në Finlandë, përcjell albinfo.ch.

“Për shkak të një ndryshimi, jam e emocionuar të njoftoj se do të performoj si Abigaille në Nabucco të Giuseppe Verdit në një prodhim të ri në Festivalin prestigjioz të Operas Savonlinna në të gjitha datat: 6, 8, 11, 16, 19, 22, 24, dhe 26 korrik”, ka njoftuar sopranoja Qerkezi, e cila këtë rol e interpreton për herë të parë.

“Nabucco” i Giuseppe Verdit tregon historinë e një mbreti babilonas që pushtoi Jerusalemin dhe dërgoi popullin hebre në mërgim.

Kurse festivali prestigjioz i Operas “Savonlinna”, në të cilin do të interpretojë Qerkezi, njihet si ngjarja kryesore kulturore e Finlandës, e cila arrin të mbledhë rreth 70.000 vizitorë.