Në jubileun e argjendtë të profesionit si gazetar, kryeredaktori i lajmeve në Top Channel rrëfen raportin e tij me vajzat dhe punën
Nga Olsi Kolami
Fotografia: Elvis Sula
Kjo intervistë thuajse nuk ishte menduar, nëse nuk do të kisha “takuar” Emin dhe Altean përmes një postimi në rrjetet sociale. Ato janë vajzat e bukura dhe të talentuara të Altin Krekës, kryeredaktor i lajmeve në Top Channel. I mbaja mend të vogla përmes një wallpaper- që Altini mbante në kompjuterin e punës, kur vite më parë punonim në “Gazeta Shqiptare”; por tani nuk arrija t’i besoja syve. Ato sot janë dy zonjusha, bukuroshe dhe të talentuara. Unë e di që nëse dita do të kishte 25 orë, Kreka do të ishte në punë, sepse është një profesionist i vërtetë, por para Alteas dhe Emit ai dorëzohet, për të qenë babai i përkushtuar, dhe modeli i frymëzimit të dy adoleshenteve. Edhe pse i duket se festa e abetares ka qenë dje, Altini është në prag të përcjelljes së tyre drejt universitetit… Koha ikën. Fëmijët rriten. Dhe një ditë ata ikin nga shtëpia. Gëzimi i prindërve është të shoh realizimin e tyre profesional dhe personal. Në këtë fazë jete, gjithçka që Altini do për vete dhe për vajzat, është që të kalojnë sa më shumë kohë bashkë.
A do më lejosh të të thërras Kreka në këtë intervistë?
Po, sigurisht. Ne bashkë jemi miq dhe kolegë të vjetër. Sa kohë kanë kaluar nga koha kur punonim bashkë. 24 apo 25 vite? Në atë kohë nisëm bashkërisht shumë projekte te “Gazeta Shqiptare”. Ai që më ka ngelur në kujtesë është suplementi “Bluetooth”, kanë qenë edhe për ty sfidat e para të forta, në këtë zhanër të gazetarisë, ishe mes më të talentuarve.
Unë e di që je i rreptë dhe korrekt në punë, po si është Kreka si babi, i rreptë apo i butë?
Pse i rreptë jam dukur? Nuk është rreptësi. Jam mësuar të jem korrekt, sistematik dhe me shumë durim, dhe kjo mbase përkthehet si rreptësi. Por, me vajzat e mia? Jo aspak. Jam shumë i butë, jam ai që mundohet të zgjidhë dhe sqarojë çdo gjë me qetësi. Plus kësaj, mendoj se nëse tregohesh i rreptë me adoleshentët, lojën e ke të humbur.
Ne njihemi prej vitesh, që kur vajzat e tua nuk kishin ardhur në jetë, ndaj doja të dija cilën anë kanë zbutur ato te ju?
Gjithçka në sjelljen time kanë zbutur. Nuk flas, pa u menduar mirë. Nuk veproj, pa qenë i sigurt për përfundimin dhe kjo ndodh për çdo gjë, që nga më e thjeshta, nuk eci me shpejtësi me makinë apo nuk pi alkool, deri te vendimet që marr dhe që mund të ndikojnë në të ardhmen e vajzave, edhe ato vendime që lidhen me punën dhe karrierën. Kur je baba, dhe kur je veçanërisht babai i vajzave, bëhesh shumë i kujdesshëm. E them me shaka me miqtë e mi që janë baballarë vajzash, se nëse bota do të kishte liderë që rrisin vajza, do të ishte një vend shumë më i mirë.
Jam kurioz të di, sa orë në ditë i dedikon zakonisht familjes dhe sa punës?
Ky është një raport, që shpesh e kam shkelur. Për shumë vite, pjesa më e madhe e ditës i kushtohej punës, por gjithçka bëhet për familjen. Kam shumë borxhe në këtë drejtim. Por i kemi ndarë detyrat me Edlirën. Për shembull, ajo gatuan, unë bëj pazaret. Unë gatuaj shumë mirë, por bëj shumë rrëmujë (qesh). Ndërkohë më është dashur që mos të jem, edhe në ditë të rëndësishme për vajzat. Kam munguar, sepse ditëlindja e tyre përkonte me një transmetim maratonë televizive apo festa e abetares, me zgjedhje elektorale. Kështu ka qenë gjithmonë dhe mendoj se ky është “mallkimi” i gazetarëve. Por, megjithatë mundohem të bëj maksimumin, sepse jeta ecën shumë shpejt. Aq sa më duket se para një viti vajza ime e madhe recitonte në festën e abetares dhe këtë vit do ta shoqëroj në vitin e parë, si studente në Universitet.
Si ke arritur të balancosh orët e gjata në punë, me praninë e rolit të babait në familje?
Mua me duket, se nuk ja kam arritur asnjëherë që ta balancoj. Jo aq shumë sa Edlira, bashkëshortja ime, ajo është në çdo sekondë të jetës së vajzave tona. Por, mendoj se duke parë se si Altea vetëm 17 vjeçe, flet me mua, bën humor, arsyeton, shpjegon dhe studion me durim, apo si Emili, vajza e vogël, 15 vjeçe, po rritet e pavarur, e fortë dhe ndër më të mirat e shkollës, mendoj se kam edhe unë një pjesë të meritës.
A keni një vend ku i kaloni zakonisht pushimet familjare, jeni me shumë në mal apo në det?
Na pëlqen deti shumë. Altea dhe Emi janë notare të mira, përveçse edhe basketbolliste dhe vajza e vogël e ka pasion notin. Për këtë i kanë ngjarë babit. Ato e njohin shumë mirë bregdetin, nga Durrësi e deri përtej Prevezës. Por, pushimet familjare më të mira janë ato që bëjmë me udhëtime. Njohja e vendeve, kulturave në qytete të Europës është një shkollë shumë e mirë, kur babi bën ciceronin dhe vajzat pyesin. Po marrin nga unë, edhe pasionin për historinë. Bashkë kemi parë shumë vende dhe vajzat më kanë premtuar se kur të rriten, do të jenë ato që do na shoqërojnë në udhëtime të tjera.
A je më shumë një baba kontrollues, apo preferon të këshillosh vajzat?
Të dyja. Por kontrolli është specialitet i mamit, edhe këshillimi. Unë mundohem t’i kontrolloj në distancë, pa i bezdisur dhe t’i këshilloj me qetësi. Por mendoj se nuk ka formula të gatshme, për të ruajtur balancën mes kujdesit dhe rritjes së tyre si të pavarura.
Kur ka qenë hera e fundit, që keni bërë detyrat e shtëpisë bashkë?
Kjo ndodh shpesh. Më duket sikur kam bërë shkollën nga e para. Por s’do ti themi të gjitha, se jemi ende në shkollë, por një gjë mund ta tregojmë. Altea dhe Emili janë dalluar se kanë bërë gazetën më të mirë dhe më profesionale, si detyrë shkolle.
Po këshilla që i ke dhënë Emit, e cila tani është një adoleshente?
Vetëm një!? Janë shumë. Kam mësuar se adoleshentëve mund t’u japësh shumë këshilla, por nëse nuk gjen mënyrën e duhur, që është me qetësi dhe me forcën e shembullit, nuk e marrin mësimin. Këshilla më e mirë është që ato kanë mësuar, duke parë se si unë dhe Edlira arsyetojmë, zgjidhim problemet dhe jetojmë. Fëmijët dhe adoleshentët më shumë se sa dëgjojnë, shikojnë.
A ke një këshillë për gazetarët që duan karrierën, por edhe një familje të shëndetshme?
Po, ka. Është të bësh maksimumin për familjen, të falësh dhe të falesh, të dëgjosh dhe të dëgjohesh. Siç thotë Edlira: “Bëje të lumtur gruan, të kesh një jetë të lumtur”!
Prej vitesh në pozicionin e kryeredaktorit në Top Channel, çfarë do të doje të ndryshoje nga rutina profesionale në emër të familjes?
Do të doja të ndryshonte koha, që qëndroj me vajzat e mia. Katër vite më parë, kur shëndeti im më dha një shuplakë të fortë, dola nga shtëpia dhe nuk e dija nëse do të kthehesha më, të shikoja vajzat e mia që i lashë në gjumë. Por zemra nuk më tradhtoi, dhe u ktheva me synimin për të qenë akoma më shumë pranë Alteas dhe Emit. Koha ka ikur aq shpejt, sa kur shikoj sa janë rritur, më tremb dhe më dhemb pak, për momentin kur do të ikin larg nesh. Altea do të mbushë këtë vit 18 vjeçe dhe dita kur të dyja do të ecin vetë, është shumë afër.
Galeria fotografike
bal