Rriten lajme të mira për pensionistët. Deputetja e Partisë Socialiste, Pranvera Resulaj, në një intervistë të fundit të dhënë për “Vizion Plus” ka thënë se do të rriten pensioni minimal.
E pyetur se çfarë do të ndodhë me pensionet pas rritjes së pagave, ajo është shprehur se ka një vit që ka një bashkëpunim negocimi me Bankën Botërore për një rishikim të skemës së pensioneve.
“Unë kur e theksova indeksim e kisha fjalën e dallimit mes indeksimit dhe rritjes, e më së shumti kisha parasysh pensionistët pasi aty kemi një konfuzion.
Përgjithësisht ne veprojmë me pensionet me indeksimin dhe me bonusin e fund vitit. Këto nuk janë rritje të pensioneve.
Ajo ç’ka pritet është rritja e pensioneve.
Është e kuptueshme se pasi kemi përfunduar një reformë të rritjes së pagës në administratën publike që mendoj se ishte e domosdoshme por edhe kushtet e fuqisë së buxhetit të shtetit janë më të vogla për pensionistët për shkak të numrit të madh të tyre por mendoj se është momenti i duhur për t’u fokusuar te pensionet.
Në fakt ka filluar, ka një vit që ka një bashkëpunim negocimi me Bankën Botërore për një rishikim të skemës së pensioneve.
Rishikimi i skemës është shumë teknik. Është një analizë teknike, është një analizë teknike dhe nuk është se mjafton vullneti politik.
Kështu që, ne të vendosim se cila do të jetë skema më e mirë për Shqipërinë, duhet të kemi një analizë.
Kështu që derisa të shkojmë te rritja, mendoj se veprimi i parë duhet të jetë rritja e pensionit minimal.
Kjo duhet të jetë veprimi i parë që do të ndodh nga kjo analizë.
Negociata është e fokusuar në të gjithë skemën por ndryshimin e skemës e mendoj dhe me aq sa e gjykoj do të nis, sikur nisi dhe reforma e pagave.
Fillimisht nisi me rritjen e pagës minimale edhe pensioni do të nis me rritjen e pensionit minimal.
Pensioni nuk mjafton, duhet ta themi dhe stërthemi sepse nuk dua të krijoj asnjë ndjesi pakënaqësie te të gjithë pensionistët që janë në fund të fundit prindërit tanë por duhet ta kuptojnë vullnetin por të jemi të drejtë dhe të sinqertë, deri më sot jemi duke vepruar jo me rritje të pensioneve por me indeksim dhe bonus”, tha Resulaj.
Paketë për pensionistët
Deputetja e PS, tha se do të ketë një paketë të re për pensionistët. Janë dy gjëra të ndryshme, asnjë lloj indeksimi, asnjë lloj bonusi nuk duhet të konfondohet me rritjen e pensionit. Rritja është një pritshmëri e drejtë e të gjithë pensionistëve.
Derisa të shkojmë të reforma, sigurisht që do të duhet të rritet fuqia blerëse e pensionit aktual. Rritja e fuqisë blerëse e pensionit aktual bëhet nëpërmjet këtyre elementeve sekondare si indeksimi që e kemi me ligj dhe bëhet në tetor për pensionet në bazë të normës mesatare të inflacionit të llogaritur nga instituti i Statistikave, në bazë të shportës së konsumit të konsumit të pensionistëve dhe nga ana tjetër bonusi i fund vitit që është i legjitimuar, i parashikuar nga buxhetin e 2024-ës 3.2 miliardë në total 5000 lekë për çdo pensionist por ndërkohë tani e zëmë në buxhet kemi vetëm këto, indeksimi dhe bonusi i fund vitit.
Nuk ka diçka zyrtare të shkruar në letër apo të konfirmuar sepse është duke u diskutuar por besoj në varësi të nivelit të të ardhurave të cilat kanë një tejkalim të planit, të ardhurat tatimore apo të administratës fiskale por në të njëjtën kohë kemi pritshmëri shumë të larta për sezonin turistik sa i përket rritjes së të ardhurave, e si e tillë besoj se do të kemi një paketë për pensionet.
Gjithmonë një paketë për të ndihmuar fuqinë blerëse të pensionit”, tha ajo.
E pyetur nëse do të jetë një paketë ndryshe nga vitet e tjera, ajo tha se do të jetë më e lartë.
“Patjetër, logjikisht shkon aty pasi ajo që është e parashikuar, e buxhetuar është 5000 lekë për çdo pensionist si bonus për në fund vit”, përfundoi deputetja.
Pensionistët e ish-kooperativave bujqësore
Nga ana tjetër pritet miratimi i një ligji që përfitojnë pensionistët e ish-kooperativave bujqësore. Në këtë ligj merren të mirëqena vitet që nuk figurojnë në regjistër apo edhe kur ky i fundit mungon (pas shkatërrimit në -97-ën), por me disa kushte.
Jo kushdo mund të përdorë ligjin që pritet të miratohet së shpejti në Kuvend, për të fituar vite pune, pa meritë.
Duke qenë se në komunizëm njerëzit dilnin në punë fill pas përfundimit të arsimit të detyruar, ajo do të merret si kufi minimal moshor, por jo përpara datës së krijimit të kooperativave. Ndërsa kufi maksimal për njohjen e viteve të punës për qëllim pensioni do të merret ligji 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”.
Ka një procedurë të caktuar përpara se të quhet njohja e kontributeve për vitet që kërkohen. Personi që kërkon të njohë vite pune që nuk figurojnë në regjistër, duhet të vërtetojnë më parë, që, për periudhën e caktuar ka qenë banor i një territori ku ka pasur kooperativë bujqësore.
Po ashtu, ISSH duhet të sigurohet se ai që kërkon të dalë në pension për kohën që pretendon se ka punuar, nuk ka qenë në burg apo s’ka përfituar pension të plotë invaliditeti. “Njohja e periudhës së sigurimit për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore në varësi të periudhës së deklaruar nga vetë personat kërkues, bëhet respektivisht me ditë, muaj apo vite të plota pune, vetëm kur vërtetohet se gjatë periudhës së deklaruar përfituesi: nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie; nuk ka qenë përfitues i pensionit të invaliditetit të plotë; ka qenë banor i territorit në të cilin ka shtrirë aktivitetin e saj ish-Kooperativa Bujqësore”, citohet në relacion. Janë këto tri kushte që “nxjerrin zbuluar” ata që kërkojnë të përfitojnë në kurriz të ligjit, i cili përcakton gjithashtu se për çdo deklarim të rremë, do të bëhet ndjekje penale.
Vlen të përmendin po ashtu që ky ligj, në momentin që do të miratohet, nuk ka fuqi prapavepruese. “Periudhat e sigurimit të njohura në ish-kooperativat bujqësore kanë efekt për përfitime që nuk janë caktuar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, citohet në nenin 5 të dokumentit të dorëzuar në kuvend. Ligji vlen jo për të gjitha ish-kooperativat, por vetëm për ato për të cilat nuk disponohet dokumenti i plotë i vjetërsisë në punë.
Me të marrë miratimin, brenda një muaji, Këshilli i Ministrave duhet të përpilojë dhe bëjë publike listën.