Gratë që i mbijetojnë arrestit kardiak kanë më shumë gjasa të vuajnë nga ankthi ose depresioni sesa të mbijetuarit meshkuj, paralajmëron një studim i ri.
Të dhënat në lidhje me pasojat shëndetësore pesëvjeçare të arrestit kardiak zbuluan “më së shumti një rritje prej 50% në recetën e antidepresantëve në vitin e parë tek gratë që nuk u pasqyrua te burrat”, tha studiuesi Robin Smits, student doktorature në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Amsterdamit. Pas pesë vjetësh, kjo rritje u zvogëlua në një rritje afërsisht 20% të recetave.
“Teksa ne duhet të bëjmë më shumë kërkime për të kuptuar saktësisht pse ndodh kjo, tashmë mund të themi se kjo tregon se veçanërisht gratë nuk mbështeten në mënyrë adekuate pas arrestit kardiak”, tha Smits në një njoftim për lajmet e qendrës mjekësore.
Për studimin, hulumtuesit analizuan të dhënat për 1250 njerëz (mosha mesatare: 53) të cilët i mbijetuan një arresti kardiak në Holandë.
Ata zbuluan gjithashtu se njerëzit që i mbijetojnë një arresti kardiak kanë më shumë gjasa të përballen me probleme financiare më pas.
“Ne pamë ulje të ndjeshme në normat e punësimit dhe, rrjedhimisht të ardhurat”, tha Smits. “Më tej, ne pamë gjithashtu një ndryshim në ‘statusin e fituesit kryesor’ – që do të thotë se anëtari i një familjeje që kishte të ardhurat më të larta ndryshonte shpesh pas arrestit kardiak, duke sugjeruar se ishte e vështirë për individët të ktheheshin në tregun e punës”.