Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë u denoncua gjatë ditës së djeshme nga një 23-vjeçar në Skenderaj, i cili e ka denoncuar babain e tij.
Sinjali mëson se denoncimi i të riut e ka aktivizuar Policinë, me ç’rast është siguruar prezenca e të dyshuarit, ndërsa njësitet policore kanë arritur që të intervenojnë në shtëpinë e tij, ku e kishte mbyllur gruan.
Viktima është intervistuar dhe ka rrëfyer për dhunën sistematike të bashkëshortit, si dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Dhunë familje”.
ks