Uji i nxehtë është një rrezik për lëkurën dhe lëndimet prej tij të përcëllojnë shpirtin. Na ka ndodhur të gjithëve të digjemi nga uji i nxehtë, çaji apo gjella në zjarr.
Reagimi i parë kur ndodh kjo ‘gjëmë’ është ta lagim zonën e lënduar me ujë të ftohtë. Nënat shqiptare sugjerojnë shumë kura të shpejta dhe efikase që supozohet të ofrojnë shërim dhe të zbusin dhimbjen.
Disa prej kurave popullore kanë të bëjnë me aplikimin e gjizës, salcës së kuqe e të tjerë. Por përpara se të flasim për kurat, është e nevojshme të shpjegojmë për llojet e djegieve.
Djegia e gradës së parë
Kjo djegie ndodh kur lënda e nxehtë prek sipërfaqen e lëkurës. Simptomat përfshijnë skuqje, enjtje dhe pak dhimbje. Lëkura e lënduar hiqet pas shtatë ditësh dhe brenda dy javësh ajo është si më parë.
Djegia e gradës së dytë
Kjo djegie është më e rëndë sepse lënda e nxehtë arrin në shtresën e dytë të lëkurës dhe shkakton shumë dhimbje. Djegia shoqërohet me flluska dhe inflamacion. Flluskat shpërthejnë brenda një jave dhe shërimi është i plotë brenda tre javësh. Pas shërimit zona e djegur ka një ngjyrë më të çelët ose më të errët se pjesa tjetër e lëkurës.
Djegia e gradës së tretë
Kjo djegie është shumë e rëndë dhe kërkon ndihmë mjekësore. Lënda e nxehtë përçon në të gjitha shtresat e lëkurës dhe dhimbja është e padurueshme.
Djegiet e shkaktuara nga uji i nxehtë.
Djegiet e shkaktuara nga uji i nxehtë janë të zakonshme. Hapi i parë kur jeni përballur me diçka të tillë është që të mbani zonën e djegur në ujë të ftohtë e të rrjedhshëm për të paktën pesë minuta. Nëse djegia është më e rëndë, mbajeni për të paktën 15 minuta. Trajtimi me ujë të ftohtë, është në varësi të zonës së trupit të prekur nga uji i nxehtë. Për shembull, ju mund të përdorni një napë të lagur me ujë të ftohtë ose akull në një qese plastike, por asnjëherë direkt mbi lëkurë. Ju mund të përdorni gazra me ujë të ftohtë dhe t’i mbani mbi plagë për 10 minuta. Aloe Vera është një nga kurat më të mira ndaj djegieve sipërfaqësore (nga dielli, vaji apo uji) Xheli hidratues i kësaj bime është fantastik dhe nuk lë njolla.
Djegiet e rënda
Nëse uji i përvëluar ju ka rënë mbi trup dhe mbi rroba, shkoni menjëherë në urgjencë. Mjekët do të dinë se si të heqin pjesën e rrobave të ngjitura në mish. Nëse janë formuar flluskat mos i pickoni ato sepse do t’ju ngelen njolla dhe do të infektohen. Sipërfaqja e djegur duhet mbuluar gjatë ditës por duhet ajrosur herë pas here.
Hapat bazë kundër djegies
Pasi e keni trajtuar plagën me ujë të ftohtë, vendosni sipër vazelinë dhe një garzë sterile. Merrni një ibuprofen kundër dhimbjes dhe të nesërmen ndërroni garzën.