Shëndetësi

Ç’është rregulli i ‘100 orëve’ dhe si të ndihmon të zhvilloni aftësitë tuaja?

Kur përpiqemi të bëhemi ekspertë në një fushë të caktuar, shpesh thuhet se na duhen 10,000 orë praktikë. Kjo praktikë duhet të jetë intensive dhe e vështirë, duke synuar zhvillimin tonë, për ta kthyer dobësinë në një aftësi.

Truri mund të përballojë vetëm 4-5 orë të kësaj praktike çdo ditë, gjë që do të thotë se duhen 10 vjet për t’u bërë ekspertë në një fushë të caktuar. Një kohë relativisht e gjatë, apo jo?

Por kjo mënyrë është e mirë vetëm nëse dëshironi të bëheni violinistë koncertesh, shkrimtarë apo mjeshtra në shah. Për shumë prej nesh, perspektiva e përkushtimit të 10,000 orëve për një gjë të vetme është frikësuese, në mos e pamundur. Një pjesë e madhe nuk kanë kohë të shpenzojnë një dekadë për një gjë të vetme. Shumë profesione sot kërkojnë një gamë të gjerë aftësish, duke e bërë të panevojshme përkushtimin e 10,000 orëve për një aftësi të vetme.

Në shumë fusha, nuk kemi nevojë të arrijmë statusin elitar; na duhet përkushtim dhe dije. Dhe për të arritur këtë na duhen shumë më pak se 10,000 orë. Kjo është logjika prapa rregullit të ri që po merr zhvillim kohët e fundit: rregulli i “100 orëve”.

Për shumicën e disiplinave, duhen vetëm 100 orë mësim aktiv për t’u bërë më të mirë sesa një fillestar. Rregulli i 10,000 orëve bazohet në arritjen e më të mirës; kërkon një sasi të madhe praktike (dhe ndoshta talent të lindur) për të arritur në 1% më të mirë në një fushë të caktuar.

Por duhen vetëm 100 orë për të kaluar nga mosdija në dijen më të madhe sesa 95% e popullatës—mjaftueshëm për të bërë një dallim domethënës. Fitimi i dijeve në një fushë ende kërkon punë dhe praktikë të thellë, por kërkon vetëm 1% të orëve që duhen për t’u bërë ekspertë.

Po ju ndihmojmë pak me matematikën. Nëse punoni 1 orë në ditë, mund të mësoni një aftësi të re për 3 muaj. Nëse punoni 5 orë në ditë, do t’ju duhen vetëm 3 javë. Nëse i përkushtoni fundjavat mësimit të një fushe të re, do t’ju duhen 10 javë.

Nuk do të jetë e lehtë, por është e mundur.

Çfarë prisni? Merreni atë kitaren që ka vite tek cepi i shtëpisë dhe kushtojini pak nga koha juaj çdo ditë. Sigurisht, kjo vlen edhe për mësimin e një gjuhe të re.