Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, zbuloi 2 ditë më parë se në Shqipëri janë tregtuar akullore të kontaminuara me Oksid Etileni që shkaktojnë kancer, leucemi dhe ndikojnë në aftësinë riprodhuese tek meshkujt.
Shehu zbuloi se janë konsumuar 13.2 tonë akullore me oksid etileni, teksa produktet janë shitur kryesisht në:
Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë.
Mjeku Ilir Alimehmeti tha në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania se është e vështirë të përcaktohet nëse konsumimi i këtyre akulloreve mund të ketë shtuar numrin e të sëmurëve me kancer në vend.
Kanceri që shfaqet me shpejt dhe më shpesh te fëmijët që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të akulloreve është leucemia.
“Leucemitë dhe limfomat janë të shpeshta në moshën pediatrike, këtu efekti mund të jetë më i shkurtër, por këtu është me mund se nuk mund ta vërtetosh.
Por ekziston dyshimi i arsyeshëm që është një lëndë që vepron relativisht shpejt.
Secili ka gjenetikë të ndryshme dhe gjenet tona reagojnë në mënyrë të ndryshme ndaj lëndëve të ndryshme kimike”, tha mjeku./Euronews