Lajme

Parashikimi i motit/ Vijon i nxehti përvëlues, sa pritet të shkojnë temperaturat

Shqipëria vijon nën mbizotërimin e motit të nxehtë edhe gjatë ditës së premte, ku temperatura të larta priten në zonat jugore të vendit. Për sa i përket motit, kthjellimet do të jenë prezente deri pasdite kur priten grumbullim i vranësirave në zonat përgjatë shtrirjes Lindore duke rrezikuar rrebeshe shiu si edhe breshër në zona të izoluara.

Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të përmirësojnë dukshëm kushtet atmosferike në të gjithë territorin e vendit. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në mëngjes, por ulen në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 19°C vlera më e ulët deri në 42°C vlera më e lartë e cila pritet në qarqet Elbasan dhe Berat.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi mbi 50 km/h nga drejtimi Verior dhe Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 ballë.

Kosova

Republika e Kosovës do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare gjatë orëve të paradites, por pjesa e dytë e ditës do të bëjë më të dukshme vranësirat në të gjithe territorin e Kosovës, ku në zonat Veriperëndimore – Jugperëndimore priten rrebeshe të izoluara shiu nuk përjashtohet edhe mundësia e breshërit.

Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin përmirësim të kushteve të motit duke bërë që kthjellimet dhe vranësirat e lehta të jenë dominante. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në mëngjes, por ulen në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 17°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 39°C vlera më e lartë në Gjakovë.

Era do të fryjë e lehtë paradite, por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 45 km/h nga drejtimi verior.

Maqedonia e Veriut

Republika e MV përgjatë gjithë 24 orëshit do të jetë nën ndikimin e alternimeve të kthjellimeve dhe vranësirave të shpeshta, ku herë pas here vranësirat do të pësojnë zhvillim duke gjeneruar rrebeshe shiu si edhe mini-stuhi breshëri. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës të ketë përmirësim gradual të kushteve atmosferike në të gjithhë MV. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në vlerat minimale, por ulen lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 19°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 41°C vlera maksimale e cila do të shënohet sërish në qytetin e Shkupit. Ndërkohë era do të paraqitet mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë mbi 40 km/h nga drejtimi permanent verior.

Europa

Si pasojë e zhvillimit të një qëndre të fuqishme ciklonare në veriperëndim të kontinentit me ndikim deri në qendër do të sjellë në përkatësisht në ishujt britanikë dhe pjesërisht në Europën qendrore rrebeshe shiu si edhe mini stuhi breshëri. Po ashtu, rajoni i Balltikut dhe zona e Alpeve do të përfshihen nga rrebeshe shiu dhe stuhitë forta ere ndërsa pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të thata dhe të nxehta me origjinë afrikane duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura shumë të larta./abcnews.al