ShowBizzz

Media e njëanshme i bën një dhuratë të madhe Trumpit

E kemi parë të ndodhë shumë herë në Shtetet e Bashkuara. John dhe Robert Kennedy u vranë, Ronald Reagan u plagos rëndë. Tani ka qenë radha e Donald Trump, i cili është gjallë vetëm për disa milimetra, duke pasur parasysh se u qëllua në vesh dhe është e qartë se donin ta vrisnin. Rrethanat janë të ngjashme: si atëherë, edhe dje ishte një gjest nga një njeri i vetmuar, në këtë rast i vrarë menjëherë. Një i ri njëzet vjeçar që urrente Trumpin, gjë që megjithatë nuk sqaron gjithçka: A veproi i vetëm? A kishte bashkëpunëtorë? A mund të përjashtojmë që të jetë i nxitur? Pyetje delikate dhe pa përgjigje, por që eksperti dhe vëzhguesi skrupuloz nuk mund të mos i bëjë.

Ashtu si rrethanat e tjera të përsëritura: sipas dëshmisë së marrë nga BBC, disa të pranishëm panë snajperin të ngjitej në çati, por alarmi u shpërfill. Dëshmia duhet marrë me kujdesin e duhur, megjithatë një fakt objektiv mbetet: mitingu u zhvillua në Butler, një qytet në Pensilvani me 13 mijë banorë. Fakti i thjeshtë që një burrë i armatosur me pushkë mundi t’i afrohej lirshëm vendit të tubimit është absurd dhe akoma më absurd që tarracat e zonës nuk ishin të mbuluara nga Shërbimi i Fshehtë, dhe se Matthew Crooks ishte në gjendje të ngjitej në një ndërtesë 150 metra larg skenës, e të vendosej në pozicion gjuajje. Më e pakta që mund të thuhet është se siguria dështoi tërësisht. Shqetësuese.

Po aq zhgënjyese dhe emblematike ishte sjellja e shtypit amerikan, shpesh i kopjuar pa asnjë rezervë nga shtypi europian. Çdo gazetar do të kishte vendosur titull në këtë mënyrë, aq më tepër që pamjet e drejtpërdrejta televizive ishin elokuente: “Sulm ndaj Trump, plagoset ish presidenti” ose “Të shtëna në tubim, u përpoqën të vrisnin Trump”. E megjithatë fillimisht titujt ishin të vagët e madje deri të paqartë. “Të shtëna në mitingun e Trump” ishin më të guximshmit, ndërsa Washington Post vendoste titullin: “Trump largohet pas zhurmave të forta në një tubim” dhe CNN bashkë me gazetat e tjera: “Agjentët e shërbimit sekret e largojnë urgjentisht Trumpin pas rrëzimit në një miting. ” Pa patos, pa emocion, një neutralitet rrënqethës.

Ky atentat ndryshon inercinë e fushatës elektorale, dhe jo vetëm për imazhin ikonik të Trumpit, i cili me fytyrën e përgjakur, ngrihet dhe duke shpërfillur rrezikun, ngre grushtin lart dhe bërtet: “Luftoni, luftoni!” Tamam si një kryekomandant, siç i pëlqen ta quajë një pjesë e madhe e elektoratit.

Tashmë është edhe viktimë dhe mund ta shfrytëzojë më shumë se kurrë rolin e presidentit antisistem, si njeriu që e shqetëson kaq shumë establishmentin, sa që rrezikon edhe jetën. E ndihmon edhe përballja me demokratët. Edhe armiqësia e shtypit shkon në favor të tij. Tani bëhet vërtet e vështirë të ndalet rendja e kandidatit republikan, edhe pse nuk ështe e pamundur. Kjo është fushata më e çuditshme dhe e paparashikueshme e historisë së SHBA. Steka është shumë lartë. Kemi parë një president që bën vetëm gafa, ndërkohë që rivali është viktimë e një atentati. Dhe duhene dhe katër muaj deri në ditën e votimit. Çfarë do të ndodhë nga sot deri në 5 nëntor? / Inside Over – Bota.al