Autoriteti i konkurrencës Italiane po heton nëse Armani dhe Dior kanë mashtruar konsumatorët në lidhje me proceset e tyre të prodhimit, pas raportimeve se kompanitë lokale në zinxhirët e tyre të furnizimit paguajnë punëtorët shumë pak dhe i detyrojnë ata të punojnë me orë të gjata.
Në një deklaratë të mërkurën, ai tha se Armani dhe Dior “mund të kenë lëshuar deklarata të pavërteta në lidhje me etikën dhe përgjegjësinë e tyre sociale, veçanërisht në lidhje me kushtet e punës dhe pajtueshmërinë me ligjin nga furnizuesit e tyre”.
Hetimi është fokusuar në disa firma brenda Armani Group dhe disa brenda Dior Group në pronësi të LVMH, inspektimet janë kryer në ambientet e këtyre firmave të martën.
Firmat po hetohen për sjellje të mundshme “të paligjshme” në tregtimin dhe shitjen e rrobave dhe aksesorëve, në kundërshtim me Kodin e Konsumatorit të Italisë, theksoi ai. Shkeljet e kodit mund të rezultojnë në gjoba deri në 10 milionë euro.
Shumë marka të zakonshme të modës janë përballur prej kohësh me akuza për kushte shfrytëzuese të punës në zinxhirët e tyre të furnizmit.
Por rritja e shqyrtimit të markave luksoze bie në sy sepse sfidon perceptimet se çmimet e larta, furnizuesit me bazë në Europë dhe artizanati superior nënkuptojnë se veshjet prodhohen në mënyrë etike.
Autoriteti i konkurrencës i Italisë tha se Armani dhe Dior “theksuan mjeshtërinë dhe cilësinë”, ndërsa përdorën furnizimet nga fabrikat “që punësonin punëtorë që do të merrnin paga të pamjaftueshme”. Në disa raste, punëtorët detyrohen gjithashtu të punojnë me orë të gjata në kushte të papërshtatshme të shëndetit dhe sigurisë.
Këto praktika janë në kontrast me “nivelet e larta të përsosmërisë së prodhimit” nga të dy grupet, vuri në dukje ai.
Hetimi vjen pasi prokurorët e Milanos akuzuan disa firma në pronësi kineze në Itali, që prodhonin mallra luksoze për Dior dhe Armani, për abuzime sistematike me punonjësit e tyre, raportoi Reuters.
Në një deklaratë me CNN, Dior tha se autoritetet italiane kishin informuar së fundmi kompaninë për praktika të paligjshme në dy nga furnizuesit e saj të përfshirë në prodhimin e produkteve prej lëkure për meshkuj.
“Shtëpia e Dior i dënon me vendosmëri këto akte të padenjë, të cilat bien ndesh me vlerat e saj dhe kodin e sjelljes të nënshkruar nga këta furnitorë… Pavarësisht auditimeve të rregullta, këta dy furnitorë me sa duket kishin arritur t’i fshehin këto praktika,” shtoi kompania, duke vënë në dukje se nuk do të bënte çdo porosi të re me firmat në fjalë dhe bashkëpunonte me autoritetet italiane.
Armani ka mohuar akuzat e ngritura nga autoriteti i konkurrencës, por tha se do të bashkëpunojë me hetimin e fundit.
“Kompanitë e përfshira janë plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me autoritetet por besojnë se akuzat nuk kanë asnjë vlerë dhe janë të sigurt për një rezultat pozitiv pas hetimit,” thotë kompania Armani në një deklaratë për CNN.