Lajme

Xhelozia nxit sherr mes të rinjve në plazh, plagoset një djalë, zhduket autori

Një djalë i ri ka qëlluar me armë zjarri një tjetër duke e lënë të plagosur dhe është larguar me makinë në autostradë ku policia po përpiqet ta kapë.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 13:30, në një zonë larg pushuesve në plazhin Tale të Lezhës, raporton noa.al.

Nga të dhënat e para dyshohet se ka pasur një konflikt për motive të dobëta mes dy shtetasve, për motive xhelozie.

Si pasojë ka mbetur i plagosur me armë zjarri pistoletë, 27 vjeçari Alfred Marku, banues në Zejmen, Lezhë.

Sipas të dhënave paraprake, autori ishte në plazh i shoqëruar nga një vajzë. Dyshimet janë se plagosja ka ndodhur për shkak të ngacmimit së vajzës dhe më pas autori ka plagosur 27 vjeçarin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes

Policia thotë se i riu i plagosur është jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe vijojnë punën për kapjen e autorit, i cili është i identifikuar nga ana e Policisë.

Autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi E.L, 30 vjeç, pasi ka kryer plagosjen, është larguar me një automjet në drejtim të autostradës, ku janë ngritur dhe funksionojnë pikat e përkohshme të kontrollit policor.

Grupi hetimor ka sekuestruar në vendngjarje celularin e autorit të dyshuar dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. /noa.al