Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Klea Gjatës e cila po hetohet në gjendje të lirë nga prokurori Behar Dibra si pjesë e grupit të Laert Haxhisë.
Gjykata vendosi t’i kthejë makinën Gjatës raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, pas një padie të dorëzuar nga e ëma, shtetasja Sh. Gj që kërkoi “Kthimin e sendit të sekuestruar sipas procesverbalit të datës 01.10.2023, ora 17:55, mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Elbasan”.
Makina luksoze e sekuestruar gjithë këto muaj, nuk ishte e Klea Gjatës, por e nënës së saj. Këto kërkesa ishin bashkuar në një të vetme në seancën gjyqësore të datës 10.07.2024.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur Pranimin e kërkesës të paraqitur nga nëna e Klea Gjatës, për kthimin e automjeti tip Mercedes–Benz, deri në përfundim të gjykimit.
Gjykata ia ka rrëzuar kërkesën Klea Gjatës e cila kërkoi të njëjtën gjë pasi makina luksoze sipas shkresave nuk rezultoi të ishte në emër të saj.
27-vjeçarja Klea Gjata nga Lushnja, pjesë e grupit të Laert Haxhisë u arrestua gjatë operacionit të koduar “Never Forget” një vit më parë.
“Klea Gjata, 27 vjeçe, banuese në Lushnjë, dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”,” u tha gjatë njoftimit të policisë. /tch/