Lajme

Djali i pronarit të ‘Lajthizës’ me armë pa leje në restorantin e VIP-ave ‘Savoy Garden’, plagos gjatë festës një vajzë e dy vëllezërit e saj! Në kërkim nga policia! 2 të tjerë në pranga (Video)

IRANË- Një festë e orëve të vona në një nga restorantet më luksoze në rrugën e Kavajës, brenda një kompleksit të banimit “Deligjorgji” në Tiranë përfundoi me 3 të plagosur me armë zjarri, anëtarë të së njëjtës familje, motra dhe vëllezërit.

Festa në rreth shoqëror e familjar përfundoi me gjakderdhje, pasi në mesin e të ftuarve VIP ishte dhe një person i armatosur. Edison Elezaj 32 vjeç djali i biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i ujit “Lajthiza”, kishte me vetë një armë zjarri që policia thotë se ishte pa leje. Gjatë festës pas mesnate, arma është shkrepur dhe për pasojë mbetën të plagosur 3 familjarë, motra me dy vëllezërit.

Vajza 36 vjeç binjake me vëllain, dhe më i vogli mes tyre, 34 vjeç u paraqitën rreth orës 01:35 në një spital privat në Tiranë me dëmtime të shkaktuara nga arma e zjarrit – thotë policia në një njoftim zyrtar. Vëllezërit kanë lënë spitalin pasi kanë marrë mjekim, ndërsa vajza 36-vjecare – thotë policia – është ende nën kujdesin e mjekëve, por jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, arma kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës”, thotë policia.

Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta, apo se përse djali i biznesmenit Elezaj duhej të festonte me armë në brez, por policia thotë në një njoftim zyrtar se 32-vjeçari “dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje ka bërë një shkrepje të pavullnetshme”.

32-vjecari Edison Elezaj i identifikuar nga policia si personi që qëlloi me armë është shpallur në kërkim. 32-vjeçari akuzohet për ‘Plagosja e rëndë me dashje’.

Ndërkaq për ngjarjen janë arrestuar Dardan Zalli dhe Arjan Dushaj pasi ndihmuan 32-vjeçarin të fshihte armën pas plagosjes.

‘Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, si dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit pistoletë TT, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Pas kryerjes së krimit nga Edison Elezaj , dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.’- njofton policia.

Festa zhvillohej në “Savoy Garden” një nga restorantet me luks në Tiranë, i cili frekuentohet nga shumë personazhe VIP. Ai është hapur në vitin 2022, dhe sipas regjistrit tregtar është në bashkëpronësi nga Elira Ndreaj me 51% të aksioneve dhe nga Ermir Ndreaj me 41% të aksioneve, i njohur si pronar i Cinco Cavallit./ReportTv.al