Lajme

Lajm i mirë për emigrantët/ Qeveria e re laburiste mbyll “anijen burg”, atje ku u vetëvra edhe një shqiptar

Qeveria e re laburiste e Britanisë do të mbyllë të ashtëquajturën anije burg, që përdoret për strehimin e emigrantëve në brigjet jugore të Anglisë, raportoi gazeta Telegraph të martën.

Përdorimi i anijes “Bibby Stockholm”, e cila mund të strehojë deri në 500 burra, filloi nën qeverinë e mëparshme konservatore. Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë krahasuar atë me një anije burgu dhe e kanë cilësuar përdorimin e saj si çnjerëzor.

Anija në fjalë u vu në qendër të debatit publik, pas vetëtvrasjes dhjetorin që shkoi të një emigrant 27 vjeçar shqiptar. Atëherë mediat angleze, cituan dëshmitë e emigrantëve për kushtet e këqija të jetesës në anije.

Në anijen lundruese ofrohen kushte bazike jetese, shërbim shëndetësor dhe ambiente për ushqimin.

Ajo ruhet me roje sigurie, 24 orë në ditë. Por ajo kritikohej, për ushqim me cilësi të dobët, dushe me ujë të ftohtë, dhe shqetësime të patrajtuara të azilantëve. Kapaciteti i anijes u dyfishua në 500 vende duke futur shtretër marinari për të krijuar kabina të përbashkëta.

Kryeministri i ri laburist, Keir Starmer, është zotuar të rishikojë sistemin e azilit dhe metodën e trajtimit të migrantëve që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes mjeteve të paligjshme.