Princi Harry, në dokumentarin Tabloids on Trial, publikuar këtë të mërkurë, tha se betejat e tij ligjore me tabloidët britanikë kishin kontribuar në tensionimin e marrëdhënieve të tij me familjen mbretërore.
Ai ka ndërmarrë veprime ligjore kundër News Group Newspapers (NGN), degës në Mbretërinë e Bashkuar të grupit të Rupert Murdoch, dhe botuesit të Daily Mail në dy padi të veçanta, duke i akuzuar ata për praktika të gabuara nga gazetarët dhe hetuesit privatë gjatë shumë viteve.
Harry i ka përshkruar më parë paditë si “misionin” e tij. Ndërsa, të dyja kompanitë botuese mohojnë akuzat.
“Unë mendoj se nga pikëpamja e shërbimit ndaj të tjerëve dhe kur je në një rol publik, këto janë gjërat që duhet të bëjmë për të mirën më të madhe, por unë po e bëj këtë për arsyet e mia,” tha Princi për ITV.
“Për mua ky mision vazhdon, por ka shkaktuar…pjesërisht një këputje”, shtoi ai.
Harry fajëson mediat britanike për vdekjen e nënës së tij Princeshë Diana në vitin 1997 në një aksident me makinë. Ai ka akuzuar gazetat britanike për sulme armiqësore dhe raciste ndaj gruas së tij amerikane Meghan, të cilat ai i përmend si një faktor në vendimin e tij për të hequr dorë nga detyrat mbretërore dhe për t’u transferuar në Kaliforni në vitin 2020./abcnews.al