Një mozaik nga dyshemeja e një vile të lashtë romake është zbuluar në shtratin e detit në ujërat e Napolit. Dyshemeja prej mermeri fillimisht mendohet se i përkiste një rezidence me pamje nga deti, sipas një postimi në Facebook nga Parku Arkeologjik “Campi Flegrei”.
E ndërtuar në qytetin e lashtë Baiae, i cili ishte i njohur gjatë Perandorisë Romake si vendi i rezidencave në pronësi të Julius Cezarit dhe Perandorit Neron, vila ishte pjesë e një zone toke që u zhyt si rezultat i një fenomeni gjeologjik të quajtur “bradyseism”, gjatë të cilit toka ngrihet ose, si në këtë rast, bie për shkak të presionit nën sipërfaqe.
Hulumtimet paraprake tregojnë se dyshemeja është bërë kryesisht nga copa mermeri të ripërdorur në formë të parregullt, një teknikë që ishte e zakonshme nga shekulli III deri në V të e.s. Mermeri është thyer sepse muret e dhomës, të cilat ishin më shumë se 10 metra të larta, u rrëzuan në dysheme, thonë studiuesit.
Qëllimi i zbuluesve është të përpiqen të rindërtojmë një pjesë të tërë të dyshemesë. Kryebashkiaku Josi Gerardo Della Ragione e quajti gjetjen “mahnitëse” në një postim në Facebook. Zona tani do të jetë një vend i njohur zhytjeje, duke ofruar mundësi për të parë rrënojat e zhytura, u shpreh ai.