Ai është kreativ, thotë ç’mendon dhe jeton për vëmendje. Po, po flasim për Luanin, yllin e gjithë horoskopit. Mund ta kesh qejf, mund ta kesh inat, mund të jesh një Luan, s’ka rëndësi fare, të gjithë flasin për Luanin dhe në fshehtësi, duan të jenë një Luan.
Për ta njohur më mirë, ose për të gjetur veten, ky artikull shpjegon se si është një Luan, me detaje! Nisim pra!
Luani në punë
Si një shenjë që udhëhiqet nga Dielli, Luani është vërtet udhëheqësi i xhunglës, edhe në zyrë. Tani, të të themi fiks si ta mendosh një Luan: E ke parasysh Diellin që të gjithë planetet i vijnë rrotull? Njëjtë ndodh edhe me Luanin; praktikisht, të gjithë njerëzit rrotullohen rreth një Luani.
Luani është i lindur për të qenë një yll, ndaj mos e merr personale kur e sheh gjithë kohës duke u sjellë sikur qindra paparacë e presin për t’i bërë foton e vitit. Kudo ku është, Luani shkëlqen, plus, ka ide shumë kreative, e duan të gjithë në punë dhe praktikisht, ka një talent të lindur për të qenë lider.
Luani ka një energji shumë të mirë, por edhe një anë shumë të keqe: Nëse dikush ndriçon po aq sa një Luan, një xhelozi e madhe shpërthen si supernovë dhe le të themi që ka goxha përplasje.
Luani në dashuri
Po ta themi shkurt, shqip, qartë: Luani në dashuri është zjarr! Si një shenjë fikse, Luanit i pëlqen t’i marrë pak ngadalë gjërat dhe ta mbajë zjarrin e dashurisë të ndezur. Luani nuk bën fare kompromis për pasionin, romancën dhe seksin. Njësoj si Dielli që e udhëheq, Luani njihet si një shenjë që jep shumë dashuri dhe vëmendje, por sigurisht, i do mbrapsht.
Një anë negative? Ka shumë pritshmëri nga personi tjetër dhe zhgënjehet pafund nëse nuk i përmbushen idealet që kjo shenjë ka në kokë.
Luani në shoqëri
Shiko, po ta bëjmë edhe më të qartë! Vetëm nëse je Luan mund të konkurrosh me një Luan! Kudo ku kjo shenjë hyn, kthehen kokat. Luani vishet bukur, ka buzëqeshje rrezëllitëse dhe praktikisht, bën çdo gjë për vëmendje.
Është një shenjë ekstroverte, njeh të gjithë barin/restorantin/clubin dhe do të diskutohet kudo. Megjithatë, mbetet një shenjë shumë besnike për njerëzit që i ka për zemër. Kjo shenjë të mbron ty dhe gjithë grupin, gjithashtu është shpirti i festës.
Një shenjë e talentuar, brilante dhe kaq energjike ka edhe një të keqe të madhe: Është kaq kokëfortë sa edhe kur e di që është gabim, vazhdon debatin për hir të zakonit.
Luani në prapaskenë
“Festo shumë, puno shumë, flirto shumë, pusho shumë!” është motoja e Luanit, që njihet si një shenjë që nuk e ka fare në fjalor fjalën “pak”. Luani mund të duket si një shenjë e pasjellshme, por në fakt, flet troç, pa sheqerosur asnjë fjalë, sigurisht, te njerëzit që nuk ka interes. Pavarësisht se çon festën kudo, sërish ka nevojë për pushim dhe relaks, por jo kudo. Duhet një vend luksoz, i cili mund t’i përafrohet dëshirave të kësaj shenje.
Ana negative? Luani, me shpirt do të jetë në një grup të madh, ndaj vetminë s’e ka shumë qejf!