Nga Arben Kurteshi – Në dy dekadat e fundit, zhvillimi i vendit ka qenë prioritet sekondar, ndërsa ruajtja dhe zgjerimi i pushtetit janë vendosur në krye të agjendës, duke u bërë ideal dhe vizion i vetëm i pushtetarëve tanë.
Migrimi i vrullshëm gjatë këtyre viteve dëshmon mungesën e një ideali dhe vizioni të qartë për zhvillim të qëndrueshëm. Nuk ka pasur as vullnet, as guxim dhe as inkurajim për të ndërtuar një zhvillim të denjë dhe të qëndrueshëm. Shteti nuk mund të përparojë me politika korruptive dhe nepotizëm si dikur, por as me politika sociale të përkohshme duke shpërndarë 50€ apo 100€ herë pas here si sot! Kjo qasje është zbatuar nga diaspora për më shumë se gjysmë shekulli, duke sjellë vetëm rezultate mbijetese.
Pushtetarët kanë dështuar të kuptojnë dhe të zbatojnë politika zhvillimore që krijojnë një mjedis të favorshëm për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të lartë. Ata nuk kanë arritur të ofrojnë një strategji të qartë dhe të qëndrueshme për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve, që së paku të ardhurat do të mbulonin nevojat elementare për të gjithë. Vetëm përmes një vizioni të qartë, përkushtimit të sinqertë dhe guximit për të ndërmarrë proaktiv reformat e nevojshme, në sektorët kyq, mund të shpresojmë për një të ardhme më të ndritur për vendin tonë.
Është koha për të lënë pas praktikat e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në inovacion dhe përkushtim ndaj interesave të qytetarëve. Nevojitet një transformim i thellë në mendësi dhe veprim, ku udhëheqësit tanë të vendosin interesin e përbashkët mbi përfitimet personale dhe pushtetare, dhe të punojnë me zell e vullnet për të arritur qëllime madhore afatgjata që do të sjellin përparim dhe mirëqenie për të gjithë.
Duhet të përqendrohemi në krijimin e një mjedisi të favorshëm për investitorët, duke i kontaktuar ata në mënyrë proaktive përmes institucioneve tona dhe duke u përpjekur të plotësojmë të gjitha kërkesat, kushtet dhe nevojat e tyre, qofshin ato ligjore, infrastrukturore apo sociale. Vetëm atëherë mund të shpresojmë të zhvillojmë vendin në nivel evropian e përtej për secilin qytetarë të vendit tonë.