Një pamje e siguruar nga gazetari F.Tenolli që ka shkaktuar indinjatë të gjerë publike, është zaptimi me shezlonge i ishullit Tongo në Ksamil. Në ishull janë ngulur çardat private dhe është ngritur një beach bar, duke transformuar peizazhin e tij të paprekur në një sipërmarrje komerciale.
Banorët dhe vizitorët kanë hedhur pyetjen se kush i ka dalë pronar ishullit të paprekur derisa para diaa kohësh. “Çfarë është kjo mënyrë babëzie dhe zaptimi të çdo hapësire të mundshme?”-shprehet një pushues i shqetësuar. “Kush i jep këto leje?” Deri më sot, Ishulli Tongo ishte një nga zonat e pakta që kishte mbetur e paprekur nga shfrytëzimi privat, duke shërbyer si një strehë për dashamirësit e natyrës dhe ata që kërkojnë qetësi.
”Babëzitë” e reja jo vetëm që kanë ndryshuar bukurinë natyrore të ishullit, por gjithashtu kanë ngritur shqetësime të mëdha mjedisore. Ky zhvillim i fundit nënvizon një trend në rritje të zaptimit të pakontrolluar përgjatë zonave bregdetare të virgjëra të Shqipërisë.