Lajme

Skema e mashtrimit te ‘Fondi Besa’, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq pesë persona(Emrat)

Prokuroria e Tiranës mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë persona të cilët nëpërmjet mashtrimit me kreditë kanë vjedhur të paktën 15 qytetarë duke marrë kredi në emër të tyre dhe përvetësuar më pas paratë.

Në bazë të hetimeve ka rezultuar se 34-vjeçari Ledio Vrapi, banues në Gjermani, dhe që është në kërkim nga policia, në bashkëpunim me 3 punonjësit e Fondit Besa, të cilët po ashtu akuzohen për mashtrim, Lindita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi, kanë vjedhur nëpërmjet mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuar. Ndërsa Majlinda Demollari, në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’.

Prokuroria thotë se Ledio Vrapi ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq pesë shtetas për veprën penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Falsifikimit të dokumenteve’. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra të paktën nga 15 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare”, thuhet në njoftim.

Si funksiononte skema e mashtrimit?
Sipas akuzës kryesori në skemën e mashtrimit ishte Ledio Vrapi, i cili u kërkonte personave që kanë rënë preh e mashtrimit që të hapnin llogari bankare në emër të tyre pranë disa bankave të nivelit të dytë në vendin tone duke u premtuar se do tu hidhte shuma parash që i kishte përfituar nga emigrimi në Gjermani.
Pasi kishte mashtruar qytetarët, në bashkëpunim me punonjëset e ‘Fondit Besa’, 34-vjeçari ka arritur të marrë kredi në vlerat 5 deri në 7 mln lekë të vjetra. Qytetarët i kanë tërhequr këto para dhe ia kanë dorëzuar 34-vjeçarit, pa e ditur se ishin mashtruar dhe se këto shuma të mëdha parash ishin përftuar në ‘kurriz’ të tyre. Si shpërblim për favorin e bërë, 34-vjeçari u kanë dhënë vetëm nga 500 mijë lekë të vjetra secilit.

Ledio Vrapi duke i mashtruar ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit të 15 personave dhe ka përgatitur dosjen për kreditë dhe kontratat e kredisë, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a. Më pas me ndihmën e dy oficerëve të kredisë, Lindita Peçi dhe Eros Aliu, si edhe përgjegjësen e zyrës Lindita Ndroqi është bërë e mundur marrja e kredive dhe transferimi i shumave monetare në llogaritë bankare të personave të mashtruar.

Në skemë është e përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari, e cila ka kryer noterizimin e kontratave totalisht në shkelje të ligjit, pasi 15 personat e mashtruar nuk janë paraqitur asnjëherë për nënshkrim.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq pesë shtetasit L.V., L.N., E.A., L.P., dhe M.D. për veprën penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Falsifikimit të dokumenteve’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra të paktën nga 15 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.

Shtetasi L.V., ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare. Po kështu, nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.

Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi L.V., ka bashkëpunuar me shtetasit E. A. dhe L. P., të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qënë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar. Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen L. N., e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm.

Nga aktet provohet se në veprimet apo mosveprimet e të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë skemë vjedhjeje nëpërmjet mashtrimit, provohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kush më shumë e kush më pak, kush në rolin e organizatorit apo të zbatuesit, kanë vjedhur nëpërmjet mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuar.

Shtetasi L. V., në bashkëpunim me shtetaset L.N., E.A. dhe L.P., rezulton se kanë krver veprën penale të “Mashtrimit”, me pasoja të rënda dhe të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Ndërsa shtetasja M. D., në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’.”., thuhet ne njoftim.