Kuriozitete

Qenushi mund të ndikohet nga stresi yt, sipas këtij studimi

Një studim i fundit që është realizuar në Mbretërinë e Bashkuar tregon se katërputroshët mund të nuhasin erën e stresit te njerëzit, diçka që ndikon dukshëm edhe në emocionet dhe reagimet e tyre.

Studimi, i botuar në revistën “Scientific Reports”, vjen si rezultat i një bashkëpunimi mes universitetit të Bristol, universitetit “Cardiff” dhe një shoqate bamirësie të orientuar ndaj kafshëve, kryesisht qenve.

Studiuesit mblodhën mostra të djersës dhe frymëmarrjes nga 36 pjesëmarrës vullnetarë para dhe pasi të bënin një ushtrim të vështirë matematikor. Ata raportuan nivelet e tyre të stresit para dhe pas detyrës dhe studiuesit përdorën vetëm mostra, ku presioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës së personave që morën pjesë në studim ishin rritur. Në këtë studim u përfshinë edhe disa qenushë.

“Askush nuk e kishte parë me të vërtetë se si ndikon aroma e stresit të njerëzve tek emocionet e qenushëve,” thotë mjekja veterinere Zoe Parr-Cortes.

Është vërtetuar se qentë mund të trajnohen për të zbuluar ndryshimet në nivelet e kortizolit, një hormon që vërshon në trup në kohë stresi, por studiuesit pyesin veten se si nuhatja e ndryshimeve të lidhura me stresin mund të ndikojë në gjendjen emocionale të qenve.

“Duke qenë një lloj kafshe që ka bashkëjetuar me njeriun për shumë vite, bën sens fakti që qentë mund të lexojnë emocionet e pronarëve të tyre për të kuptuar nëse janë në një mjedis vërtet kërcënues apo stresues,” vijon mjekja.

Qentë u stërvitën se si të kërkonin për një sërë aromash dhe të paralajmëronin studiuesit për mostrën e duhur dhe ky është studimi i parë që tregon prova se qentë mund të nuhasin stresin nga fryma dhe djersa e njerëzve.

Fakti që studimi mbështetet në persona vullnetarë të cilët nuk janë të njohur për qentë tregon se përgjigja e qenve është universale dhe jo e mësuar. Pra, ky studim thekson se qentë nuk kanë nevojë për shenja vizuale ose dëgjimore për të perceptuar stresin njerëzor.