Në rrugën e Barrikadave, në krah të Malit të Tiranës do të ngrihet kulla më e lartë e Tiranës.
Bëhet fjalë për një përbindësh 100 katësh i projektuar nga arkitekti kilen Alejandro Aravanea dhe studioja e tij Elemental Studio.
Kulla do të ndërtohet nga dy kompani shqiptare. Delta e Luan Muçës dhe Techno Alb e Dajlan Avdiajt. Ky i fundit njihet si një nga pronarët e ish kompanisë Apex dhe biznesmeni që ka ndërtuar Kullat tek Sahati dhe pallatin pas Presidencës.
Një ditë më parë në ambientet e një hoteli të njohur në Tiranë u zhvillua konkursi për përzgjedhjen e projektit të kullës me praninë e kryeministrit Edi Rama. Në garë morën pjesë 4 projekte nga studio të huaja arkitekturore dhe në fund u përzgjodh projekti i Aravaneas.
Kulla e re ka formën e dy gishtave. Lartësia e saj e bën hotelin Intercontinental pas 15 katëshit, Tirana Rock dhe Malin e Tiranës të duken si xhuxha. Ndërsa Plaza e Behar Males dhe Vasil Naçit tashmë do të duket si nja garsoniere e vogël.
Bëhet fjalë për një kullë, e cila fillimisht u propozua të ishte 350 metër e lartë, por që më vonë është rënë dakord të ulet në 300 metra.
Kjo do të jetë ndërtesa e re më e lartë në Tiranë, kostoja totale e të cilës nuk dihet. Ashtu sikurse nuk dihet nëse gara e çmendur e kullave që ka përfshirë Tiranën do të lërë më ndonjë centimetër tokë të pa betonizuar në qendrën e Tiranës./Kapitali.al