Është dashuria një ndjenjë? Emocion? Kënaqësi? Dëshirë? Është apo nuk është e vërtetë? Të gjitha këto pyetje tregojnë që ne kemi ide mbi dashurinë, një ide mbi atë që duhet dhe nuk duhet të jetë; një model ose një kod të krijuar brenda kulturës në të cilën jetojmë. Kështu, për të thelluar çështjen se çfarë është dashuria, pikë së pari do të na duhet të çlirohemi nga presioni i shekujve duke lënë mënjanë gjithçka që kemi dëgjuar dhe mësuar, se çfarë duhet e çfarë jo.
Të gjithë kemi krijuar një perceptim të caktuar mbi të pa e sfiduar ndonjëherë veten nëse ajo që besojmë është e vërtetë, një pjesë e së vërtetës apo një klishe kolektive. Perceptimet personale apo kolektive mund të jenë një iluzion. Po ashtu dhe jeta përmes tyre!!! Pyetje të nevojshme për të reflektuar, por le të kthehemi tek DASHURIA.
Për aq kohë sa njerëzimi ekziston ajo ka qenë e pranishme në vargjet më të fuqishme, në dramat më të mëdha që kanë dhënë një mesazh të rëndësishëm përmes saj, në vajin dhe dhimbjen përmes tingujve për pamundësinë e “kapjes” së saj. Edhe pse dashuria është parë si ndjenja më humane e njerëzimit dhe në fakt është, përsëri vihet re që fjala “dashuri” përdoret në masa të mëdha dhe shpesh herë në mënyrë të gabuar.
Por unë mendoj që dashuria është shumë më tepër se kaq dhe lidhet me vlerat që ne duam të japim dhe marrim. Cilat janë këto vlera që çdo çift duhet t’i vëzhgojë, japë dhe kërkojë në një lidhje dashurie përtej pasionit të fillimit? Në fakt janë disa, por unë do të përmend ato që përbëjnë themelin e një lidhje të shëndetshme dhe që fillojmë t’i shikojmë kur “mjegulla” e syve na është larguar:
• Besimi është pika kyçe në marrëdhënien e një çifti. Nëse nuk i besoni personit që keni në krah, duhet të vini në pikëpyetje nëse është marrëdhënie e shëndetshme, e qëndrueshme dhe e nevojshme për ju. Konsiderojeni besimin si frutin në pemën tuaj të dashurisë (mbin në të dhe rritet me përkujdesje). Nëse në fillim të marrëdhënies vini re mungesën e besimit…mos u shqetësoni, lëreni kohën të rrjedhë për ta kultivuar atë.
• Ndershmëria, të qenurit të vërtetë dhe të sinqertë kanë aq shumë rëndësi. Një marrëdhënie e ndërtuar mbi shpresën e rreme dhe gënjeshtrat e bardha mundet vetëm të shkërmoqet në fund, pavarësisht sa e dashuroni partnerin tuaj. Të jeni të ndershëm sjell paqe shpirtërore mes jush.
• Respekti është si oksigjeni në një lidhje, por së pari dhe veçanërisht respekti ndaj vetes. Pavarësisht se tingëllon si klishe, dashuria mund të jetë verbuese, sidomos kur bëhet fjalë për vlera vetjake. Për asnjë dashuri apo person nuk ia vlen të heqësh dorë nga kush je dhe nga respekti që ti meriton. Dashuria nuk është një justifikim për t’u mos respektuar apo abuzuar. Partnerët duhet ta ndjejnë respektin ndaj njëri-tjetrit si parim për një marrëdhënie të shëndetshme.
• Komunikimi i gjallë, i duhur dhe i hapur forcon shumë aspekte në lidhje dhe e bën atë shumë më të shëndetshme. Konsiderojeni si përcaktues të kufijve mes jush dhe mos harroni që ju keni nevojë për të, në mënyrë që të shprehni ndjenjat apo nevojat. Për të zgjidhur konflikte dhe madje edhe kur bëhet fjalë për intimitet. Pa komunikim të mirë, si mund të jetë e qartë çdo gjë në marrëdhënie dhe si mundet të forcohet pjesa tjetër e këtyre vlerave?
• Besnikëria qëndron paralel me besimin. Nëse nuk keni vullnetin dhe pasionin për t’i qëndruar besnik partnerit tuaj dhe marrëdhënies, atëherë pse jeni në një lidhje me të? Besnikëria vepron si një bazë për të gjitha vlerat e tjera. Kur jeni të vetëdijshëm se çfarë kërkoni nga lidhja juaj atëherë angazhohuni me besnikëri në mënyrë që ajo të funksionojë.
• Kompromiset apo “kufijtë e lirisë” janë AS-i nën mëngë. Jeta në vetvete nënkuton të japësh dhe të marrësh. Po ashtu dhe marrëdhënia në çift. Nëse vetëm një partner merr dhe nuk jep, diçka është e detyruar të prishet.
• Siguria ju dhuron qetësinë me veten dhe botën përreth jush. Eshtë funksion biologjik i trurit dhe si i tillë bëhet pjesë e marrëdhënies. Një pjesë e partnerëve, veçanërisht femrat, presin që sigurinë t’ua japë partneri. Edhe mundet, por është e pamjaftueshme dhe nuk do ju bëjë të lumtur, veçse “të varur”. Si një proçes që ndodh Brenda teje, je vetëm ti që ke zgjedhjen, vullnetin dhe angazhimin për ta siguruar atë. Nëse ia arrin është “liri” e vërtetë, po ashtu kontribut për jetën në çift. Imagjinoni sa bukur do të ndërtoheshin marrëdhëniet nëse secili do të jepte pjesën e vet të kontributit?
• Koha për veten njihet si identifikuese e çdo pale në një marrëdhënie dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme të keni kohën dhe hapësirën tuaj, për të qenë me veten, reflektuar dhe bërë gjërat që ju pëlqejnë dhe rrisin. Edhe nëse të dy keni hobi të ngjashëm ose vërtet kënaqeni të kaloni sa më shumë kohë të jetë e mundur me njëri-tjetrin, kurrë nuk duhet të lini mënjanë identitetin tuaj dhe harmoninë me veten.
• Argëtimi. Dihet që argëtimi rrit dopaminën në tru, e cila në vetvete rrit motivimin për të vepruar. Luani me njëri-tjetrin si të ishit fëmijë. Do të ndiheni shumë mirë, të relaksuar dhe do të dëshironi të keni partnerin afër, pasi praninë e tij/saj do ta lidhni me kënaqësinë.
Gjithçka ndërtohet shëndetshëm që në fillim dhe për këtë është e nevojshme të rishikohet perceptimi apo kuptimi i dashurisë. Pasurojeni atë me vlera të tjera dhe së bashku punoni për një lidhje të shëndetshme. Në jetë kemi vetëm zgjedhje. Edhe kur nuk zgjedhim. Jepini vlerë të shtuar atij “qarku neurologjik” që quhet dashuri. Gjithçka ndodh në tru edhe pse na duket sikur e vuajmë në zemër. Bëhuni të vetëdijshëm edhe kur në trurin tuaj janë ndezur vetëm “llambat” e dashurisë.