Vetëm një në katër fëmijë me autizëm diagnostikohet para moshës tre vjeç, por një teknologji e re e gjurmimit të syve mund të mundësojë diagnostikimin dhe ndërhyrjen më të hershme, sipas tre studimeve klinike me më shumë se 1500 fëmijë.
Autizmi është një çrregullim i karakterizuar nga vështirësi në komunikim dhe ndërveprim social. E trajtimi përfshin terapi të sjelljes edukative dhe familjare dhe është më efektiv kur fillon herët dhe i përshtatet fëmijës individualisht, raporton “Health Day”.
Ky zbulim i ri siguron matje të automatizuara së shikimit të fëmijëve dhe mund të ndihmojë në zbulimin e shenjave të autizmit që në moshën 16 muajshe, thanë studiuesit. Mund të ndihmojë gjithashtu në parashikimin e pikave të forta dhe dobësive të fëmijëve.
“Matjet objektive mund të ndihmojnë në përshpejtimin e kohës për të diagnostikuar dhe përshpejtuar fillimin e planeve të trajtimit të individualizuar për fëmijët e sapodiagnostikuar në një moshë më të re, gjë që është treguar se çon në rezultate më të mira për fëmijët me autizëm”, tha autori i studimit Warren Jones.
Çrregullimi i spektrit të autizmit, është paaftësia zhvillimore e shkaktuar nga ndryshimet në tru, sipas CDC. Njerëzit me këtë çrregullim shpesh kanë probleme me ndërveprimin social dhe mënyra të ndryshme të të mësuarit, lëvizjes ose kushtimit të vëmendjes.
Asnjë test i vetëm nuk mund të diagnostikojë autizmin. Në vend të kësaj, mjekët shikojnë historinë e zhvillimit dhe sjelljen e fëmijës për të vendosur diagnozën.
Vlerësimi “EarliPoint” është aktualisht i disponueshëm në Qendrën e Autizmit “Marcus” dhe qendra të përzgjedhura të autizmit në Shtetet e Bashkuara. Zbuluesit shpresojnë se së shpejti do të jetë i disponueshëm edhe në vende të tjera.
Mjeti i gjurmimit të syve mat lëvizjet e syve të një fëmije ndërsa ata shikojnë një video dhjetë minutëshe. Qindra shenja të rëndësishme sociale janë paraqitur gjatë videos dhe teknologjia kap rreth 120 matje në sekondë.
Studiuesit krahasuan matjet nga fëmijët që dyshohen që janë me autizëm, me ato të bashkëmoshatarëve që janë ende duke u zhvilluar.
“Fëmijët zakonisht në zhvillim e sipër i kushtojnë vëmendje këtyre shenjave, duke e rregulluar shikimin e tyre pas çdo momenti”, tha Jones. “Mjeti përcakton numrin, shkallën dhe kohën e çdo sinjali të humbur, të cilat në thelb janë mundësi të humbura për të mësuarit social”.
Këto dallime shfaqen herët në foshnjëri, kanë treguar hulumtimet e kaluara.
Teknologjia e re mund të ndihmojë gjithashtu në përcaktimin e ashpërsisë së autizmit, tha autori i studimit Ami Klin, drejtor i Qendrës së Autizmit Marcus dhe shef i divizionit të autizmit dhe çrregullimeve në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Emory.
Sa më shumë që fëmijët devijojnë nga mënyra se si fëmijët zakonisht i shohin gjërat, aq më i rëndë është autizmi i tyre, tha ai.
Mjeti u testua në 475 fëmijë të moshës 16 deri në 30 muaj, të cilët u vlerësuan në gjashtë klinika të specializuara të autizmit në ShBA. Rezultatet nga ky studim u shfaqën më 5 shtator në “Journal of the American Medical Association”