Kuriozitete

‘Rruga e dashurisë’ në Itali rihapet pas 12 vitesh

Shtegu më romantik në Cinque Terre në Itali – i quajtur me vend Via dell’Amore (Rruga e Dashurisë) – është rihapur më 27 korrik, 12 vjet pas rrëshqitjes së dheut të shtatorit 2012, që plagosi katër turistë australianë dhe theksoi nevojën e madhe të zonës për rinovime dhe masat të shtuara të sigurisë.

Rruga e ngushtë 800 metra e gjatë, e gdhendur në shkëmbinj të thepisur me pamje mahnitëse të detit, ka një histori 104-vjeçare dhe një të ardhme, që varet në mënyrë thelbësore nga ruajtja e peizazheve bregdetare të Italisë.

Përpara mbylljes në vitin 2012, rruga mahnitëse ishte një nga pjesët më të njohura të rrjetit 130 km të shtigjeve, që përshkojnë “pesë tokat”, që i japin emrin Cinque Terre; që lidh borghi (fshatrat) mesjetarë shumëngjyrësh të Riomaggiore dhe Manarola.

Për çudi, askush nuk planifikoi të ndërtonte Rrugën e Dashurisë. Sot, Riomaggiore dhe Manarola – fshatra “vertikale” të vendosura mbi shkëmbinj madhështorë, me shtëpi të vendosura mbi njëra-tjetrën – tërheqin miliona turistë ndërkombëtarë.

Por fillimisht, ato ishin vendbanime të thjeshta fermerësh detarë (jo peshkatarë, siç besohet shpesh gabimisht) të cilët kultivonin ullinj dhe vreshta; i lidhur vetëm me një shteg të lashtë mbi një majë të rrëpirë, aq vështirë për t’u kaluar, saqë komunikimi ishte i pakët dhe dy fshatrat e vegjël flisnin dialekte të ndryshme.

Rruga e Dashurisë filloi ‘jetën’ e saj mbi 100 vjet më parë dhe ka mirëpritur udhëtarë të panumërt që atëherë.

Por, gjatë ndërtimit të hekurudhës midis qyteteve të Genova dhe La Spezia në fund të shekullit të 19-të, pjesë të një shtegu prej guri u gdhendën në shkëmbinjtë për punëtorët dhe gomarët, që mbanin materiale dhe eksplozivë për të gërmuar tunele treni.

Vendasit panë një mundësi për të lidhur dy shtigjet e shkëputura.

Me pamje nga perëndimi i diellit nga deti dhe një peizazh shkëmbor dramatik mbi valët, që përplasen rreth 30 metra më poshtë, ky shteg i sheshtë, që mund të përshkohej shpejt, u bë një zgjidhje ideale dhe praktike për takime natën, jo shumë larg qendrave mesjetare të fshatrave.

Më pas, një njeri anonim, shkroi Via dell’Amore në murin e shkëmbit, duke i dhënë kështu shtegut emrin e tij romantik.

Pesëdhjetë vjet më vonë, në vitet 1970, zyrtarët vendas vendosën stola kushtuar figurave mitologjike të pasionit, Kupidi te Erosi.

E vetmja pengesë: Rruga e Dashurisë u ndërtua në një shpat mali të pjerrët dhe të shkatërruar, në një rajon, terreni i të cilit sjell rrëshqitje të shpeshta dheu.

“Është një zonë padyshim e rrezikshme – një zonë shumë e bukur sepse është në det – por padyshim e rrezikshme,” shpjegon Francesco Faccini, gjeolog në Universitetin e Gjenovës.

“Nuk është rastësi, që shtegu origjinal i lashtë, u ndërtua duke mbi mal dhe jo në anë. Në mënyrë të pashmangshme, prerja e bazës së një shpati çon në shembje.”

Por, pse u deshën 12 vjet për të rihapur një shteg 800 metra?

Ministrja e turizmit, Daniela Santanchè, e cila do të përurojë shtegun më vonë këtë muaj, qesh me këtë pyetje: “A e keni parë Ligurian? Është një rajon i ngushtë, që ngrihet pjerrtas nga deti. Ne duhej të shfrytëzonim të gjithë malin dhe të sigurohemi, që gjithçka të ishte plotësisht e sigurt .”

“Ka kushtuar gjithsej 22 milionë euro,” shton kryebashkiaku Pecunia, duke përshkruar sesi entitetet e ndryshme lokale dhe kombëtare të përfshira duhej të mblidhnin fonde, të binin dakord për një plan, të kalonin të gjithë burokracinë dhe në fund të ndërtonin një sistem muresh mbrojtëse dhe rrjetash, për të parandaluar rënien e shkëmbinjve dhe për të mbrojtur shtegun, pa ia prishur bukurinë natyrore. “Dhe tani, nëse shkoni, do të bini në dashuri me të,” mendon Santanchè.

Duke filluar nga 27 korriku, vizitorët mund të rezervojnë biletën e tyre online ose në kabinat e biletave të parkut.

Një maksimum prej 400 personash do të lejohen në shtegun në një orë – një politikë e re, që synon kufizimin e mbipopullimit – dhe parku, një nga më të vegjlit por më të dendurit në Itali, me 4,000 banorë mbi 3,800 hektarë, shpreson të monitorojë numrin e vizitorëve dhe të informojë turistët se sa i mbushur me njerëz është parku, para se të mbërrijnë.

Është interesante se edhe pse ceremonitë e dasmave në Rrugën e Dashurisë, do të duhet të presin për hapjen e amfiteatrit të vogël të shtegut vitin e ardhshëm, kryebashkiaku Pecunia garanton se dasma shumë intime me vetëm pak të ftuar dhe pa pije freskuese apo pritje do të lejohen duke filluar nga kjo verë./ Monitor/