Kuriozitete

Ideja e kompanisë austriake/ Një superjaht miliarderësh që kthehet në nëndetëse

Vitet e fundit ka pasur një tendencë për zhvillimin e bodrumeve të miliarderëve. Janë parë zgjerime nëntokësore të formave të ndryshme në shtëpitë e të pasurve dhe të famshëmve, ku ata mund të zhduken nga sytë e njerëzve dhe të jetojnë si në filma fantastiko-shkencorë.

Tashmë një kompani austriake dëshiron ta shtrijë këtë mundësi për të pasurit edhe tek kënaqësia e zhytjes thellë në botën e superjahteve duke i përshtatur ata në mënyrë që të mund të kthehen në nëndetëse private të personalizuara. Ideja e kompanisë është që ato mund të zbresin 250 metra nën sipërfaqen e oqeanit dhe të qëndrojnë nën ujë deri në 4 javë.

Kompania “Migaloo” ka zbuluar planet e saj ambicioze për atë që pretendon se do të jetë “superjahti i vetëm zhytës privat në botë”, duke ofruar “një alternativë që nuk ekziston ende tek anijet e mëdha sipërfaqësore në pronësi private”.

Kjo nëndetëse, e quajtur M5, planifikohet të jetë 165.8 metra e gjatë dhe 23 metra e gjerë. Ajo mund të lundrojë deri në 15 mijë milje me një shpejtësi deri në 20 nyje kur të jetë në sipërfaqe (ose 12 nyje kur të jetë nën ujë). Megjithatë “Migaloo” thotë se dimensionet e dëshiruara të hibridit jaht-nëndetëse, stili i jashtëm dhe dizajni i brendshëm janë në varësi të preferencave të pronarëve.

Si çdo superjaht i miliarderëve që ia vlen, dizajni i paracaktuar përfshin një platformë helikopterike, një pishinë dhe spa, një palestër, një kinema, galeri arti, një zonë festash me kabinë DJ, së bashku me shumë hapësira për të ndenjur ose drekuar. Shtesat opsionale përfshijnë një tullumbace me ajër të nxehtë dhe një stacion nënujor të ushqyerjes së peshkaqenëve. Deri në 12 persona mund të nisen me nëndetëse më të vogla për më shumë aktivitete në ujë.

“Pronarët janë në kërkim të privatësisë, sigurisë dhe mbrojtjes për veten e tyre, të ftuarit dhe gjërat e tyre me vlerë” – thotë CEO, Christian Gumpold në faqen e internetit të Migaloo. Sistemet e personalizuara të sigurisë do të ofrohen nga partneri amerikan SAFE, duke premtuar “mbrojtje përtej shkallës ushtarake” për atë që quhet një “fortesë private zhytëse”.

Cili është çmimi? Epo, nuk ka asnjë çmim specifik të projektit, për shkak të të gjitha atyre opsioneve të personalizuara, por vlerësimi i raportuar gjerësisht për Migaloo M5 është rreth 2 miliardë dollarë për fillestarët (dhe kjo është para se të filloni të mendoni për mirëmbajtjen).

M5 përdor teknologji të provuara të huazuara nga jahtet ekzistuese me motor dhe zhytës. Ende mbetet pyetja se kush ka mjaftueshëm para në xhepa për të blerë këtë strofull zhytëse të ngjashme me fantazitë e James Bond.

Kjo nuk është përpjekja e parë për të krijuar një nëndetëse luksoze. Aston Martin zbuloi planet për një anije konceptuale prej 4 milionë dollarësh në vitin 2017. Nuk është hera e parë që Migaloo merr vëmendjen e lajmeve. Në Monaco Yacht Show në 2015, ajo shfaqi planet për Kokomo Ailand, një ishull privat lundrues 80 metra të lartë (me ujëvarë) ku mund të lundroje.

A do të lundrojë anija konceptuale Migaloo M5 në realitet apo do të fundoset pa lënë gjurmë? Është e vështirë të thuhet, por ndoshta keni edhe pak kohë për të filluar të kurseni qindarkat tuaja.