Vijojnë të zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm në një azil privat në Tiranë, ku i moshuari, Virxhil Vesho mbeti i vdekur.
Pas autorit të vrasjes policia ka ndaluar edhe kryeinfermieren dhe infermieren Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi. Punonjëset e azilit dyshohet se kanë tentuar të fshehin ngjarjen.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se të dyja ato, pasi i moshuari mbeti i vdekur nga goditjet me shkopin e hekurit nga shoku i dhomës, Zyhdi Shehi, e kanë nxjerrë trupin dhe kanë pastruar gjakun, e më pas kanë njoftuar një agjenci funerale. Në polici ato kanë deklaruar se i moshuari humbi jetën pasi u rrëzua. Por pas këqyrjes së trupit të viktimës, agjencia funerale e ka kthyer trupin pas, pasi dyshonin se shenjat nuk ishin nga rrëzimi, por shenja të tjera dhune.
78-vjeçari Zyhdi Shehu goditi për vdekje shokun e dhomës me bastun, pas një sherri mes tyre që dyshohet se ka nisur, pasi viktima ndodhej në krevatin e autorit. Për këtë arsye, Shehu ka marrë bastunin dhe ka nisur të godasë shokun e dhomës disa herë. Dy të moshuarit vuanin nga skleroza dhe flinin në një dhomë.