Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan tha se qyteti mezi pret kthimin e këngëtares Taylor Swift në Wembley Arena për pesë koncerte të shpallura dhe bileta të shitura javën e ardhshme, pavarësisht anulimit të fundit të koncerteve të saj në Austri për shkak të kërcënimeve terroriste.
Khan tha se kryeqyteti britanik dhe policia kishin nxjerrë mësime nga sulmi në Manchester Arena, kur një sulmues vetëvrasës vrau 22 persona në një koncert të Ariana Grande në Anglinë veriperëndimore në vitin 2017.
“Ne kemi përvojë të madhe në policimin e këtyre ngjarjeve, nuk jemi kurrë të vetëkënaqur, shumë mësime janë nxjerrë që nga sulmi i tmerrshëm në Manchester Arena,” tha Khan për Sky News.
Ai shtoi se policia po punon ngushtë me autoritetet e qytetit dhe këshillat lokale në lagjet ku po zhvillohen koncerte, si koncertet e Swift gjatë dy javëve të ardhshme.
Autoritetet austriake kanë anuluar koncertet e planifikuara të Taylor Swift në Vjenë për shkak të një kërcënimi terrorist. Dy të dyshuar janë arrestuar dhe sulmet janë parandaluar. Të dy ishin frymëzuar me sa duket nga grupet e Shtetit Islamik dhe Al Kaedës, thanë sot autoritetet austriake.
Hetuesit gjetën materiale për prodhimin e bombave në shtëpinë e njërit prej tyre. Zyrtarët thanë se të dy pranuan se kishin planifikuar të “vrisnin sa më shumë njerëz që të ishte e mundur përpara vendit të koncertit”.