Kuriozitete

Pse njerëzit ndahen nga partnerët që ende i duan?

“Çfarë?! A e dëgjova mirë? Nëse më do, pse po më lë?”, po situatë mjaft e hasur. Ndonjëherë, dashuria dhe jeta bien ndesh. Zakonisht, ky konflikt lidhet me një nga këto dy çështje:

1. Arsye romantike që kanë të bëjnë me natyrën e dashurisë.
2. Arsye që kanë të bëjnë me mirëqenien e partnerëve.

“Të dua, por jo mjaftueshëm.”
Dashuria romantike nuk është një ndjenjë e thjeshtë që ose ekziston ose jo. Ajo vjen në nivele të ndryshme. Disa nivele janë të mjaftueshme për një lidhje disajavore ose mujore, por jo për të mbajtur një dashuri afatgjatë.

Shembuj të zakonshëm në këtë grup janë:
– “Kam gjetur një të dashur të ri.”
– “Në të kaluarën, kam dashur dikë më fort se të dua ty.”
– “Jam i lumtur me ty në një periudhë afatshkurtër (intensitet i madh romantik), por nuk shoh të ardhme afatgjatë (mungesë e thellësisë romantike).”
– “Ne jemi partnerë të shkëlqyer seksualë, por jo miq të mirë.”
– “Ne jemi miq, por jo partnerë të mirë seksualë.”
– “Ka probleme të mëdha në sjelljen tënde që më pengojnë të të besoj dhe të ndihem e qetë me ty.”
– “Nuk mund të të jap dashurinë që meriton,” ose më drejtpërdrejt: “Nuk kam ndjenja të mjaftueshme për ty.”

Arsyet në këtë grup janë kryesisht krahasuese – tregojnë një nivel më të ulët dashurie ose përshtatshmërie romantike. Këto dallime shpesh lidhen me shprehjen (e paqartë): “Të dua, por nuk jam i l/e dashuruar me ty,” një frazë që ka përfunduar shumë martesa dhe marrëdhënie të tjera. Këtu ka njëfarë dashurie, por ai nivel nuk është i mjaftueshëm, të paktën jo në krahasim me opsionet e tjera të disponueshme.

“Të dua, por nuk mund të jetoj me ty.”
Marrëdhëniet romantike afatgjata duhet të marrin parasysh faktorët joromantikë që lidhen me bashkëjetesën e dy partnerëve. Të duash dikë nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të vendosur të jetosh me dikë. Jetesa së bashku dhe krijimi i një familjeje kërkojnë jo vetëm dashuri, por shumë më tepër se kaq; kërkojnë aftësinë për të ndihmuar njëri-tjetrin të zhvillohet.

Në këtë rast, niveli i dashurisë është i mjaftueshëm për të mbështetur një dashuri të qëndrueshme, por jo për një bashkëjetesë të qëndrueshme. Njerëzit ndonjëherë zgjedhin karrierën dhe arritjet në jetë mbi dashurinë dhe kjo mund të lidhet me zhvillimin e tyre ose atë të partnerit.

Marrim shembull rastin e një gruaje të martuar që tha se e donte shumë burrin e saj të parë, por diçka mungonte në marrëdhënien e tyre që e bëri të vendoste të divorcohej. “Nuk kishte asgjë që nuk shkonte me të,” tha ajo, duke shtuar: “Por, gjithsesi ndjeja se nuk doja të ishte pjesë e jetës sime. Ai nuk do më pengonte, por gjithashtu nuk nxirrte në pah më të mirën nga unë. Me burrin tim të dytë, kam shumë debate, por e ndiej pasionin e tij të thellë dhe aftësinë për të nxjerrë në dukje anët e mia më të mira.”

Duke marrë parasysh këtë realitet, ndonjëherë dëgjojmë për një partner që nga dashuria e madhe, përfundon një marrëdhënie për shkak të shqetësimit se qëndrimi së bashku do ta bënte personin e tij të dashur të palumtur në një të ardhme afatgjatë. Në këtë rast, përfundimi i marrëdhënies shpreh një interes të sinqertë për mirëqenien e tjetrit.