Lajme

Dosja “5D”/ Ortakët fituan 89 mln lekë me fatura fictive, SPAK zbardh skemën: Prisnin fatura për punime dhe i tërhiqnin “cash”

Kompania “5D”, e cila ndodhët në sekuestro nga SPAK, rezulton se ka lëshuar edhe fatura fiktive. Përmes kësaj skeme, Prokuroria argumenton se ortakët faktik kanë siguruar në mënyrë të paligjshme të paktën 89 milionë lekë.

Në dosje evidentohet fakti se kjo shoqëri ka transaksione financiare me shoqërinë “Allmeta 02”, i regjistruar me ortak të vetëm Blerim Allmetën.

Nga hetimet rezulton se kjo shoqëri më herët ka pasur emrin “CACI shpk”, ku administrator ka qenë Ilir Allmeta, vëllai i Blerim Allmetës.

Ky i fundit rezulton person me konflikt me ligjin, për shkak se është gjetur në shkelje për krijimin e skemave mashtruese me TVSH.

Nestori Muhametllari, rezulton se kishte komunikime vetëm me Ilir Allmetën dhe jo me ortakun e vetëm të shoqërisë Blerim Allmetën.

Nga të dhënat rezulton se “5D konstruksion”, ka realizuar 66 transferta bankare në drejtim të shoqërisë “Allmeta 02” me një vlerë totale 120.289.975 lekë. Këto pagesa janë në formën e blerjeve të realizuara nga “5D”-ja.

Sipas gazetarit të “Ora News”, Edison Vatnikaj, shumat provohet edhe nga kontrolli i bërë në SPAK në zyrat e “5D”-së ku janë zbuluar faturat.

Lidhja e ngushtë e administratorit të “5D”-së, Nestor Muhametllari me Ilir Allmetën është provuar edhe nga telefonatat dhe mesazhet.

Sipas hetimeve, mes Muhametllarit dhe Allmetës, ka pasur 676 telefonata.

Nestor Muhametllari, i tregonte Allmetës se kur duhet që të kryhej tërheqja e parave dhe se kur ai do t’i dorëzojë shumat monetare.

Në disa raste Muhametllari i thotë Allmetës që të presë fatura tatimore ndaj shoqërisë “5D”, kjo e fundit ka cilësinë e blerësit.

Sapo fondet kalonin në llogarinë bankare të shoqërisë, Ilir Allmeta, bën tërheqjet e parave në “cash” dhe fondet depozitohen në arkën e kompanisë “5D”.

Në përfundim është provuar se “5D Konstruksion”, ka paguar “Allmeta 02” për fatura tatimore fiktive dhe shumat monetare të transferuara nëpërmjet llogarisë bankare, për pagesën e faturave fiktive janë rikthyer sërish në arkën e shoqërisë.

Nga dokumentacioni i sekuestruar dhe mandatet e pagesave të kryera, është provuar se pasi shumat monetare janë kthyer në shoqëri kundrejt mandat-arkëtimeve, ato i janë dhënë ortakëve të shoqërisë.

Në këtë mënyrë, nëpërmjet faturave dhe kryerjes së pagesave fiktive, SPAK thotë se nga llogaria bankare e “5D”-së janë nxjerrë 89.138.200 Lekë, shumë e cila ishte arkëtuar përsëri në llogarinë e shoqërisë në gjendje cash.

Për dosjen “5D”, SPAK thotë se pronarë de facto janë dy ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato, që ndodhen në masën e sigurisë arrest në burg.