Lajme

I gërvishtën makinën, e mbyllën në mjet dhe e dhunuan derisa…Si ndodhi pengmarrja e 22-vjeçarit?

Një incident i rëndë është regjistruar në Tiranë, pranë Kodrës së Priftit, ku një 22-vjeçar ka rënë viktimë e një pengmarrjeje dhe dhune të rëndë.

Ngjarja ndodhi kur automjetet e Ardit Carës dhe Arjan Dukajt u përplasën me atë të 22-vjeçarit, i cili u përfshi në një mosmarrëveshje me të dy.

Cara dhe Dukaj, pas përplasjes, i kërkuan të riut 30 mijë lekë të reja për dëmin e pretenduar që makina e tij kishte shkaktuar. Kur ai refuzoi të paguante, situata shpërtheu në dhunë.

Të dy burrat e kanë goditur 22-vjeçarin me shpulla dhe e kanë futur me forcë në makinë, duke e mbajtur të mbyllur për rreth një orë.

Burime nga policia kanë bërë me dije se i riu është liruar vetëm pasi ka dorëzuar paratë. Dëmet në makinat e Carës dhe Dukajt përfshijnë disa gërvishtje të vogla, ndërsa në makinën e 22-vjeçarit është thyer xhami gjatë përleshjes.

Policia ka nisur hetimet për këtë incident dhe është në kërkim të përgjegjësve për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të marrë masat e duhura ligjore.