Një incident tronditës ka ndodhur të mërkurën mbrëma në qytetin e Mataros, ku babai i futbollistit të Barcelonës dhe yllit të ri të Spanjës, Lamine Yamal, u sulmua me thikë nga një grup personash.
Mounir Nasraoui, babai i 17-vjeçarit të talentuar, u dërgua me urgjencë në spital, por fatmirësisht është jashtë rrezikut dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Sipas raporteve, Nasraoui ishte duke shëtitur qenin e tij në Mataro kur një grup personash i hodhën ujë, duke shkaktuar një debat që përfundoi me një sulm të dhunshëm.
El padre de Lamine Yamal discutió con algunos vecinos por la mañana y más tarde fue apuñalado. pic.twitter.com/X3F7IItvrz
— Actualidad Viral (@ActualidaViral) August 15, 2024
Pavarësisht lëndimeve, ai u lirua nga spitali brenda të njëjtës natë. Ndërkohë, policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për sulmin dhe po kërkon një anëtar të katërt të grupit.
Lamine Yamal, lojtari më i ri që ka luajtur për Spanjën, është një yll në rritje dhe pjesë e Kombëtares që fitoi Euro 2024, duke mposhtur Anglinë në finalen e mbajtur në Berlin muajin e kaluar. Pas kësaj fitoreje, Mataro, qyteti ku Yamal kaloi fëmijërinë, festoi në mënyrë të madhe me tifozët që dolën në rrugë për të nderuar triumfin e tij.
Vetëm pak minuta pas fitores së trofeut, Yamal u shpall lojtari i ri i turneut, duke e bërë atë lojtari më i ri ndonjëherë që ka marrë pjesë në një kampionat evropian. Këto arritje e kanë vendosur atë në qendër të vëmendjes, dhe incidenti i fundit ka shtuar shqetësimin për sigurinë e familjes së tij.
lokimagazine