E njohur si “Mbretëresha e Ketaminës” nga prokurorët amerikanë, Jasveen Sangha është një nga pesë personat që, sipas autoriteteve amerikane, kanë furnizuar aktorin e “Friends”, Matthew Perry, me ketaminë, duke përfituar nga varësia e tij dhe duke kontribuar në vdekjen e tij nga mbidoza.
Zonja Sangha përballet aktualisht me nëntë akuza, përfshirë konspiracion për shpërndarjen e ketaminës dhe shpërndarjen e kësaj droge që çoi në vdekjen e Perry-t. Qytetare me shtetësi të dyfishtë amerikano-britanike, ajo u deklarua e pafajshme për akuzat gjatë një seance gjyqësore të enjten, ku u paraqit me një bluzë Nirvana. Kërkesa e saj për lirim me kusht u refuzua, dhe ajo do të mbetet në paraburgim deri në gjyqin që pritet të mbahet në tetor.
Aktakuza pretendon se ketamina e shpërndarë nga zonja Sangha më 24 tetor 2023 shkaktoi vdekjen e Perry-t. Ketamina është një anestezik disociues me efekte halucinogjene, e përdorur zakonisht në mjekësi dhe veterinari për të lehtësuar dhimbjen, por që kërkon mbikëqyrje mjekësore për shkak të efekteve të saj potencialisht të rrezikshme.
Sipas autoriteteve, Sangha kishte furnizuar me ketaminë që nga viti 2019 nga një “shtëpi e fshehtë” në Hollywood-in Verior, e cila është përshkruar si një “emporium droge.” Në një kontroll të policisë, u gjetën më shumë se 80 shishe me ketaminë, së bashku me mijëra pilula të tjera, duke përfshirë metamfetaminë, kokainë dhe Xanax.
Zonja Sangha dyshohet se ka pasur një rrjet të gjërë klientësh, përfshirë të famshëm, dhe kishte një jetë luksoze që shpesh e ndante në rrjetet sociale. Pas vdekjes së Perry-t, ajo vazhdoi të postojë foto të jetës së saj ekstravagante, duke përfshirë udhëtime dhe festa në Japoni dhe Meksikë.
Prokurorët thonë se Sangha filloi të furnizonte ketaminë për Perry-n pasi një nga të pandehurit e tjerë, Dr. Salvador Plasencia, kuptoi interesin e aktorit për këtë drogë. Ata pretendojnë se Dr. Plasencia i mësoi asistentit të Perry-t, Kenneth Iwamasa, se si të injektonte ketaminën, dhe më pas Sangha nisi furnizimin e rregullt të drogës për Perry-n, duke qenë e vetëdijshme për rrezikun që ajo paraqiste.
Nëse dënohet për të gjitha akuzat, Sangha përballet me një dënim minimal prej 10 vjet burg federal dhe një dënim maksimal që mund të përfshijë burgim të përjetshëm. Autoritetet amerikane thonë gjithashtu se ajo është e lidhur me një tjetër rast vdekjeje nga mbidoza në vitin 2019, ku një klient tjetër i saj, Cody McLaury, vdiq pasi bleu ketaminë nga Sangha.
Hetuesit raportojnë se pasi u informua për këtë vdekje, Sangha kërkoi në Google: “A mund të renditet ketamina si një shkak vdekjeje?” Kjo sugjeron se ajo ishte e vetëdijshme për rreziqet e ketaminës që ajo shpërndante. Ajo pritet të përballet me akuza edhe në këtë rast.