Policia e Kosovës ka dalë me detaje lidhur me vrasjen që ndodhi të martën në Prishtinë, ku një grua dyshohet se vrau kunatin e saj.
Në raportin e policisë thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhjetë gëzhoja dhe katër predha, si dhe në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Po ashtu, janë sekuestruar edhe një karikator me tre fishekë si dhe 27 fishekë të cilët janë gjetur gjatë kontrollit.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje.
“Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport./teve1.info/