Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe ka sekuestruar substanca narkotike të llojit heroinë dhe kokainë.
Në rastin e parë ka identifikuar një person shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.
“Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim të PK-së.
Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës te personi i dyshuar janë gjetur 6 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro).
Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale policia ka sekuestruar edhe këto dëshmi tjera materiale:
- 2 telefon celularë,
- 1 veturë,
- 4305 denarë të Maqedonisë Veriore.
Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor.
Ndërkohë, në rastin e dytë, Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
- 1 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro;
- para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze.
Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë. /teve1.info/
Tags: heroineKokainePolicia e Kosoves